Basha në Tiranë: Nga kjo garë PD do dalë më e fortë, Selami: PD sot më pak demokratike

480
Dy kandidatët në garë për kreun e Partisë Demokratike, zhvilluan takimin e radhës me anëtarësinë e kryeqytetit. Secili prej tyre kërkoi votën mbështetëse
Dy kandidatët në garë për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduard Selami u përballën para demokratëve të njësisë nr. 1 dhe 3 në Tiranë. Ata paraqitën analizën e tyre për çfarë ka ndodhur, dhe projektet për të ardhmen. Basha u ndal në deformimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 25 qershorit, përmes asaj që e cilësoi si blerje masive e votës dhe presion shtetëror. Basha deklaroi në përballjen e Tiranës, se nga kjo, PD ka dalë më e fortë moralisht, një aset që me punë dhe bashkim do të kthehet në vlerë numerike dhe politike të padiskutueshme. Nga ana e tij, Selami vuri në dukje nevojën për të bërë analizën e brendshme të shkaqeve të humbjes. Selami pohoi se është koha që çdokush në PD të ndihet i vlerësuar e të ketë mundësi të ecë përpara. “Ju garantoj se së bashku vijmë në pushtet shumë shpejt, aq i sigurt jam për këtë sa kam prezantuar një nen në statut, kur kryetari humbet zgjedhjet e përgjithshme, të largohet. Duhet të hartojmë një strategji të gjerë, serioze me debat të brendshëm, me debat me botën akademike me debat me shtresat e ndryshme. Nuk ka vend për të humbur besimin, për të humbur shpresën por ka vend për një analizë serioze dhe kjo garë kësaj do t’i shërbejë”, tha Selami. Ai shtoi se do të donte që kjo analizë të niste ndryshe dhe se nëse PD do ta kishte parë seriozisht humbjen e vitit 2013, zgjedhjet do të ishin ndryshe. Sipas tij, po të ishin parë dhe analizuar seriozisht shkaqet e humbjes së zgjedhjeve të 2015, mund të evitohej 2017.“Por nëse e humbasim sërish dhe një rast të tillë dhe e shikojmë shkakun nga dritarja tek kundërshtari, kam frikë se gjërat mund të mos përmirësohen, prandaj hajde të shikojmë ku kemi gabuar. PD sot është më pak demokratike se kur e mori Basha”, tha Selami. Nga ana e tij Lulzim Basha deklaroi se PD ka katër vite që përballet jo me një kundërshtar politik por me një regjim kriminal, i cili siç tha ai, hap pas hapi ka tjetërsuar çdo normë bazë të demokracisë, edhe për standardet ballkanike, e jo më për standardet evropiane.“Këtu në Tiranë siç po evidentohet hap pas hapi, objektivi ka qenë jo thjesht dhe vetëm pagesat për votuesit e tyre që s’i kanë kënaqur dot gjatë katër viteve në pushtet, për votuesit e pavendosur që i kanë detyruar me njëqind marifete, por objektivi ishte po kështu të mbanin në shtëpi numrin më të madh të mundshëm të votuesve opozitarë, me normë minimalisht 5, duke synuar 15 familje opozitare për çdo qendër votimi. Shuma 200 mijë lekë për familjar”, tha ai. Në vijim shtoi se Partia Demokratike, është e vetmja forcë politike që i trajtoi shqiptarët me respekt dhe me dhembshuri duke iu ofruar rrugët e daljes me një plan, të vetmin plan në fushatë. Më tej deklaroi se PD ka dalë një forcë morale e pacenuar nga zgjedhjet. Ai u shpreh se PD është lartësuar edhe më shumë kuotën morale, pikërisht sepse nuk u futëm në lojën e pisët të shit-blerjes së qytetarëve, e dinjitetit të tyre. Basha deklaroi se PD nuk ia shtriu dorën krimit, që sipas tij, e shtriu për të bërë pakt për të ardhur në pushtet. “Forca jonë morale mund dhe do të kthehet në forcë numerike dhe politike vetëm kur të kalojë përmes bashkimit të çdo demokrati dhe përmes bashkimit tone, të çdo qytetari që ndan vlerat tona dhe shpresat tona dhe ka shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Ne do të vlerësojmë kontributin e çdo demokrati, sepse që këtej e tutje, ky nuk do të jetë thjesht një rekomandim por një vendimmarrje me një anëtar një votë e anëtarësisë së Partisë Demokratike, për deputetët dhe për gjithë funksionet e tjera të zgjedhura”, tha Lulzim Basha.
Sigal