Basha në Shkodër: Problemi i tyre opozita, problemi im rënia ekonomike

495
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi bashkëbisedimin me të rinjtë e qytetit të Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se pasi e ka zhytur vendin në gropën e papunësisë, varfërisë dhe pamundësisë, kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë alternativë, nuk ka asnjë projekt se si mund ta nxjerrë vendin nga gropa ku e ka zhytur, madje nuk e ka as problem. Problemi i tij i vetëm është opozita dhe kryetari i saj tha z. Basha dhe jo hallet dhe problemet e qytetarëve. 
“Problemi i tyre është Basha. Problemi im është rënia ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, rritja e taksave, rritja e çmimeve, pamundësia për të mbyllur muajin, papunësia rinore, papunësia në tërësi. Po unë do të uroja që ai të luftonte me të njëjtën fuqi që më lufton mua, papunësinë. Të luftonte me të njejtin prioritet që lufton kryetarin e opozitës, varfërinë. Të luftonte pagat e ulta, pensionet e ulta me të njëjtën forcë që sulmon, shpif dhe fajëson këdo, përveç vetes së tij” , u shpreh Basha. 
Partia Demokratike dhe kandidatët e saj, theksoi Basha e kanë ofertën për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe duke u kthyer shpresën qytetare, duke ulur taksat e hapur mundësi për punësim. Duke rritur pagat dhe pensionet dhe ulur çmimet. “Kemi ofertën e uljes së taksave, kemi ofertën e uljes me 25% të çmimit të energjisë dhe faljes së kamatvonesave për të gjithë shqiptarët. Kemi ofertën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Kemi ofertën e dëmshpërblimit lek për lek të të gjitha objekteve të prishura në mënyrë të paligjshme nga qeveria Rama-Meta”, tha Basha. 
Kryetari i PD-së dhe kandidatja për kryetare të Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi u takuan edhe me tregtarë të vegjël dhe të mesëm të qytetit të Shkodrës ku janë njohur me problemet dhe shqetësimet e tyre, që nga rritja e taksave, rritja e çmimit të dritave rënia e fuqisë blerëse, etj.
Sigal