Basha në Peshkopi: Rama-Meta mendojnë vetëm për veten e tyre, s’flasin për papunësinë

410
Zgjedhjet e 21 qershorit për Partinë Demokratike dhe kandidatët e djathtë janë mundësia për të ofruar alternativën e rrugëdaljes nga kriza. Ishin këto fjalët e kryedemokratit Lulzim Basha në një takim elektoral në Peshkopi, ku tha se dy vite pas qeverisjes së majtë, Shqipëria që shihet aktualisht, nuk shkon para, por mbrapa në çdo drejtim. 
“A e njohin gjendjen këta, a e dinë këta se mijëra familje nuk kanë lekë për të blerë bukën e gojës? A e shohin popullin që lufton për bukën e gojës? A e dinë që fshatarët shesin lopën për të paguar energjinë, a e dinë që qytetarët shesin orendi dhe gjakun? Kurse vetë bëjnë abuzimet marramendëse me taksat tona, taksat tuaja dhe paratë që ua marrin me kërbaç”, tha Basha. 
Sipas tij në 25 vite të demokracisë nuk ka ndodhur kurrë që të zhduken 150 milionë dollarë, të cilat u mungojnë investimeve, shkollave, pensioneve, shëndetësisë etj. Basha tha se paratë i çojnë në vila luksoze, hotele dhe llogari bankare të tyre jashtë shtetit. 
Kreu i PD deklaroi se klithma e varfërisë që nuk kërkon lëmoshë, ka bashkuar si asnjëherë më parë të majtë e të djathtë, duke nënvizuar se qeveria po e çon vendin drejt greminës, pasi shkaktuan varfëri, papunësi dhe mjerim. “Vijnë vërdallë dhe s’dinë çfarë thonë. Nuk flasin për papunësinë, pasi ata mendojnë vetëm për veten e tyre”, tha Basha.
Sigal