Basha: Në luftë me krimin, korrupsionin e manipuluesit e zgjedhjeve

458
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi të mërkurën se qeveria ka përgatitur ndryshimet në buxhetin e shtetit, të cilat parashikojnë ulje drastike të shpenzimeve, për shkak të korrupsionit masiv. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se opozita do t’i shpallë luftë frontale korrupsionit dhe kontrabandës.
“Pas denoncimeve tona të përsëritura dhe ngulmuese për rënien në pikatë të të ardhurave në dogana dhe tatime, për evazionin dhe kontrabandën rekord sidomos në artikujt e akzisës, si duhani dhe nafta, Ministri i Financave, Cani, pranoi këtë javë gjendjen e patolerueshme dhe dështimin e madh të kësaj qeverie në drejtimin dhe menaxhimin e këtyre dy sektorëve kyçë, që janë burimet kryesore të të ardhurave për buxhetin e shtetit. Kur hajdutët dhe hajdutet me çizme firmato janë sulur babëzisht në dogana dhe tatime, kur qeveria abuzon dhe dështon në shkallën më të lartë në dogana dhe tatime, çfarë pritet tjetër, çfarë mbetet tjetër për tu thënë për nivelin e korrupsionit. Pa i hequr asnjë gram përgjegjësisë që ka ministri i financave dhe çdo zyrtar tjetër që ka mbyllur sytë para të keqes, ne e dimë shumë mirë kush është përgjegjësi numër një, e dimë shumë mirë kush e ka ndërtuar instrumentin që ka prodhuar vjedhjen dhe kontrabandën masive në dogana dhe tatime: ky është kryeministri Edi Rama.
Ndaj, në emër të interesit publik e pyes përsëri publikisht kryeministrin: Ku kanë shkuar 150 milionë dollarët e munguar në dogana dhe tatime gjatë këtyre gjashtë muajve? Ku kanë shkuar 50 milionë dollarët e kontrabandës gjigande të cigares, rreth 800 ton në gjashtë muaj? Kush mban përgjegjësi? Sërish i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë pa humbur kohë kontrabandën e cigareve dhe të çojë para drejtësisë autorët nga i pari tek i fundit. Hetimi dhe ndëshkimi ligjor i këtij krimi të përbindshëm duhet të përfshijë gjithë rrjetin kriminal që e ka mundësuar, që nga komanduesit, kontrabandistët dhe shpërndarësit; është një imperativ për organet e drejtësisë, për të rikthyer besimin në forcën e ligjit, për të vënë në vend të drejtat e goditura hapur apo në mënyrë tinzare të qytetarëve nga xhepat e të cilëve janë zhvatur miliona sepse kanë paguar si naftë të cilësisë së pare, naftën kallpe. 
Do të heqin nga buxheti investime në rrugë e shkolla, spitale e çerdhe, sepse paratë me të cilat do të ndërtoheshin janë vjedhur. Do të heqin nga buxheti kompensimin e shtresave në nevojë, dëmshpërblimin e pronarëve dhe të përndjekurve, sepse paratë me të cilat do të paguheshin ata, janë vjedhur. 150 milionë dollarët që ju vodhën shqiptaërve në tatime dhe dogana nuk do të mund të hyjnë në arkën e shqiptarëve. Nuk do të kthehen në shkolla, rrugë, rroga, ndihmë ekonomike, kompensim për të përndjekurit dhe pronarët, rritje pensionesh, rimbursim ilaçesh. Sepse i kanë vjedhur për vete, i kanë bërë shuka shuka në dyshekët e korrupsionit të zuzarëve dhe zuzareve të Ilir Metës dhe Edi Ramës, i kanë bërë apartamente, vila, hotele, konto bankare. Ndonjë cironkë herë pas here prangoset për sy e faqe të publikut por balenat, fokat dhe derrat e korupsionit nuk i gjen asgjë, ata drekojnë e darkojnë me klientelën e tyre të hajdutëve dhe evazionistëve e planifikojnë pushimet e verës në rezortet luksoze të botës. Ndërkohë që shqiptarët zhyten në borxhe për bukën e gojës, për faturat e energjisë dhe për të nxjerë pasaportat e kurbetit.
Kjo është skema. Rritën taksat dhe tarifat. Rritën aksizat. Dhe çfarë ndodhi: u rritën çmimet. U rrit varfëria. U rit mjerimi dhe papunësia. Nga ana tjetër, po falimenton masivisht biznesi i vogël dhe po tkurret ai i mesëm dhe i madh. Investimet e huaj afër zeros. Kredia për investime të brendshme në pikiatë. Ne kemi shpallur luftë frontale me këto fenomene shkatrrimtare dhe nuk do të ndalemi deri në fund. Bashkë me qytetarët shqiptarë, me mbështetjen e miqve dhe parnerëve tanë amerikanë dhe europianë do t’ia dalim t’i mundim. Para se rregjimi i krimit dhe korrupsionit të ulë në gjunjë Shqipërinë. Për këtë arsye Rama-Meta goditën dhe zhbënë standartet demokratike zgjedhore. Çdo ditë dalin në dritë fakte të reja që u shtohen fakteve dhe shqetësimeve të shprehura tashmë në raportin kritik paraprak të OSBE/ODHIR. Këto janë zgjedhje që morën ndërkombëtarisht damkën e blerjes masive të votës, të blerjes dhe sekuestrimit të kartave të indetitetit, duke u hequr “de fakto” shtetasve të drejtën kushtetetutuese për të zgjedhur. 
Këto janë zgjedhje ku numri mesatar i zgjedhësve në bashkitë e fituara mes një mali me pengesa nga opozita është afro 48 mijë për kryetar bashkie, krahasuar me afro 18 mijë për kryetar bashkie si mesatare në bashkitë e fituara nga dyshja Rama-Meta, produkt i qëllimshëm nga qeveria për të siguruar paraprakisht, pa shkuar akoma në zgjedhje, një avantazh elektoral përmes hartës së re të ndarjes administrative, të denoncuar prej nesh si hartë e fitores në tavolinë me salamandra elektorale. Por, të mos harrojmë për asnjë çast: këto zgjedhje, edhe pse të kapura me njëmijë fije nga qeveria oligarkike, edhe pse të kriminalizuara, dhanë megjithatë një mesazh të madh dhe shumë kuptimplotë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Tre janë sfidat e mëdha ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet demokracia sot dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë: krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.
Sigal