Basha në Lazarat e Gjirokastër: Ata që e stigmatizojnë, inkriminuan politikën

545
Nga Lazarati lideri i Opozitës Lulzim Basha deklaroi se ata që stigmatizojnë këtë fshat janë përgjegjësit kryesorë të futjes deri në parlament të trafikantëve.
Lulzim Basha: “Kurrë nuk kemi qenë kundër luftës ndaj bimëve narkotike, përkundrazi bashkë i kemi luftuar, bashkë kemi arritur suksese. Europa na vëzhgoi, Europa na vlerësoi, Europa na hoqi vizat. Ata që stigmatizojnë Lazaratin, janë ata që janë përgjegjës për rritjen e trafikut të lëndëve narkotike. Janë ata që trafikantët jo vetëm që nuk i luftojnë por i kanë bërë deputetë të partive të tyre, i kanë veshur me pushtet, i kanë bërë drejtorë, i kanë futur në polici”.
Si në Lazarat edhe në Gjirokastër kryedemokrati është njohur me shqetësimet e banorëve sa i takon premtimeve të pambajtuara të qeverisë dhe papunësisë së madhe që ka në këto zona. Basha i bëri thirrje të gjithë të zhgënjyerëve të dënojnë me votë këtë qeveri.
Lulzim Basha: “E di që jeni po kaq të braktisur, ndiheni po kaq të poshtëruar, e di që faturat e energjisë ju vijnë po kaq të larta, që çmimet janë rritur njësoj për ju siç janë rritur për pjesën tjetër të popullit, e di që jeni papunë, pa shpresë. E di që jeni të zhgënjyer, të mërzitur, të zemëruar. Mos e shpërdoroni këtë rast për të vendosur me votën tuaj, për të ndalur këtë të keqe, për të larguar arrogancën dhe padrejtësinë dhe për t’i kthyer nderin dhe dinjitetin Gjirokastrës dhe gjirokastritëve”.
Kryetari i opozitës tha se vota për PD do të jetësojë platformën e saj për ulje të çmimit të energjisë, ulje të taksës së qarkullimit, ulje taksash, subvencione për bujqësinë dhe stimulimin e biznesit për hapjen e vendeve të reja të punës.
Sigal