Basha, në Kukës: Qeveria nuk e ka lidhur fatin me qytetarët, detyra jonë është të jemi afër njerëzve

498
Sigal

Sipas kreut të opozitës, zotit
Basha i cili takoi banorët e zonës verilindore, varfëria në Kukës, ka arritur
në një shkallë të panjohur më parë.  Gjysma e familjeve të qytetit janë të
regjistruara në listën e ndihmës ekonomike. Dhe një goditje tjetër pritet nga
taksa e Edi Ramës për Rrugën e Kombit, që do ta dyfishojë çmimin e biletës së
udhëtimit dhe do të rrisë kostot në çdo drejtim duke e shtrënguar akoma më
shumë jetesën atje. Lulzim Basha u takua me demokratët e Kukësit dhe angazhua
për të mos e pranuar këtë taksë. “Nuk mjafton fakti, që nuk ka hapur një vend
të ri pune në Kukës, nuk ka bërë një investim në Kukës. Por tani dëshiron t’i
vendosë Kukësit një rrethim, një barrikadë, një mur në formën e taksës për
Rrugën e Kombit. Pse duhet të paguajnë kuksianët taksë për Rrugën e Kombit?!
Pse duhet të paguajnë kuksianët taksë për Rrugën e Kombit, kur secili prej nesh
paguan 240 lekë shtesë taksë për karburantin, që me ardhjen e Edi Ramës. Ne nuk
do të lejojmë vendosjen e një takse që do të ndalojë qarkullimin e lirë midis
Kukësit dhe Tiranës, midis Prishtinës dhe Tiranës. Rrugën që e ndërtuam me kaq
sakrificë e përkundër përpjekjeve për ta penguar, do ta kemi jo vetëm Rrugën e
Kombit, por rrugën e kombit të lirë dhe rrugën e lirë të kombit për qytetarët
dhe mallrat shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Lulzim Basha. Duke u
ndalur në analizën e gjendjes së rëndë të vendit dhe nevojës për ndryshim,
Basha vuri theksin tek detyra që u del përpara demokratëve, për ta ndryshuar në
radhë të parë Partinë Demokratike. Basha tha, se qeverisja aktuale degjeneroi
në gjendjen e sotme, sepse i braktisi qytetarët dhe e lidhi fatin e saj me
krimin e me një grusht njerëzish e klientësh. “Hallka e dobët është fakti, se
politikani me sistemin aktual nuk e ka të lidhur fatin e tij me qytetarin. Ka
humbur çdo lidhje me realitetin, sepse fatin e tij nuk e ka të lidhur më me
qytetarët. Këtu duhet të ngulemi fort ne demokratët e të nxjerrim konkluzionet
tona. Së pari, ne nuk mund të lejojmë kurrë që ne demokratët të humbim lidhjen
me realitetin, të humbim lidhjet me qytetarët, të jetojmë një realitet që s’ka
lidhje me hallet dhe problemet e tyre. Detyra jonë e parë është të jemi afër
njerëzve, t’i kuptojmë dhe t’i prekim hallet që ata prekin në mënyrë të
përditshme e të bëjmë gjithçka për t’u ardhur atyre në ndihmë”, deklaroi Basha.