Basha në Fier: Ulje taksash në nivelin më të ulët në Ballkan, takse e sheshte 9%

437
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë e Fierit. Zoti Basha ka shprehur shqetësimin për situatën ekonomike që po kalon vendi. Niveli i papunësisë tek të rinjtë ka arritur në rreth 40%. Shumica e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin dhe emigrimi është e vetmja shpresë për ta. Kryetari i PD theksoi se opozita u ka dhënë alternativat dhe mundësitë e daljes nga kjo situatë përmes amendamenteve por ata i votuan kundër, pasi për ta punësimi dhe dalja na varfëria nuk është prioritet.
“Ne u dhamë rrugëzgjidhjet tona, rrugëzgjidhjet e halleve tuaja, sepse hallet tuaja janë prioriteti ynë dhe ata i votuan kundër. I çuam propozimin, hiq tvsh për miellin, orizin, sheqerin, vajin. E votuan kundër. Ule çmimin e energjisë me 14% të tvsh, siç premtove në fushatë, votoje amendamentin! Votuan kundër. Ule çmimin e naftës, e votuan kundër. Për ta prioritet nuk është punësimi, nuk është varfëria. Dyshja Rama Meta, theksoi zoti Basha nuk ka mbajtur asnjë premtim. Premtoi 300 mije vende pune, mbylli mijëra vende pune, premtoi ulje çmimesh, solli rritje çmimesh, premtoi ulje taksash, solli rritje te tyre. Ku janë lekët tuaja, që ua marrin me taksa më të larta!? Ku janë 45 milionë dollarë që duhej të kishin mbledhur sipas planit për këta 4 muaj?! 25% ulje të çmimit të energjisë, falje të kamatë-vonesave për energjinë dhe ujin anembanë Shqipërisë, ulje të taksës së qarkullimit që do të përkthehet në ulje të çmimit të naftës, subvencione për bujqësinë, eliminimin e tvsh për mallrat e shportës”, u shpreh Basha.
Më tej Basha theksoi se projekti i Partisë Demokratike parashikon 9% taksë të sheshtë. Me këtë taksë, qytetarët do të paguajnë më pak, tha zoti Basha dhe do të kursejnë më shumë. “Uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9% taksë e sheshtë për të gjithë pa përjashtim dhe i them sot kryeministrit: – O je gënjeshtar, ose ke mbetur në matematikë! 450 mijë lekë rrogë, 300 mijë leke rroge janë pa taksa, ashtu e kemi bërë ne. Ato 150 mijë që taksohen, po të taksohen me sistemin e Edi Ramës, Ilir Metës e Koço Kokëdhimës sot janë 13%, paguajnë 1950 lekë. Po të taksohen me sistemin që propozojmë dhe do të jetësojmë ne, me votën e bashkuar të shqiptarëve, të djathtë e të majtë 9%, paguajnë 1350 lekë. Kush paguan më pak? Sistemi Basha apo sistemi Rama?!”, tha Basha.
Sigal