Basha në Durrës: Rama-Meta nuk ofrojnë zgjidhje, por shtojnë varfërin dhe papunësin

442
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në qytetin e Durrësit. Zoti Basha është njohur me shqetësimet që kanë sot të rinjtë e Durrësit për papunësinë në rritje, tarifat e larta të universiteteve, pamundësinë e prindërve të tyre për të mbyllur muajin pa marrë borxh e deri te mungesa e shpresës se nesër do të bëhet më mirë. Vendi është zhytur në krizë, tha zoti Basha, por qeveritarët refuzojnë të japin llogari e t’i pergjigjen pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve. 
“Ku janë 300 mijë vendet e punës, ku është punësimi, ku janë çmimet e ulura të energjisë dhe të naftës, ku është shëndetësia falas, ku është arsimi për të gjithë, ku janë universitetet që do të hapin dyert e tyre për të mos lënë asnjë të ri pa shkollë ,siç u premtua para dy vitesh, kush përgjigjet për këto pyetje? Askush. Edi Rama dhe Ilir Meta, të dy së bashku dhe veç e veç organizojnë estrada të pakuptimta rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë me një tufë zyrtarësh memecë përpara, recitojnë të njëjtën histori nga fillimi deri në fund, çdo ditë, katër herë në ditë, pa u lodhur pa u bërë fare merak se asnjë nga shqiptarët nuk merr përgjigje për këto pyetje. Ku është mirëqenia e premtuar, ku është siguria, ku është rendi, asnjë përgjigje. Në rastin më të mirë sulme ndaj opozitës, sulme ndaj meje sulme ndaj Gridës, çfarë fshehin këto? Mungesën e zgjidhjeve, mungesën e ofertës, mungesën e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë para jush”,- u shpreh zoti Basha.
Dyshja Rama –Meta, tha Basha, rritën çmimin e energjisë për qytetarët, por CEZ-it i falën 600 milion euro, thelluan borxhin me 700 milion dollarë por nuk kanë hapur asnjë vend të ri pune apo te kenë kryer investime të reja. 
“E rritën çmimin e energjisë. I rritën faturat për shqiptarët, i gërmuan xhepat e shqiptarëve deri në kacidhet e fundit, por CEZ-it i falën 600 milionë euro të njohura me faturë. 600 milionë euro, 200 euro për banor, 200 euro për shqiptar ia falën me një dorë, pa llogaritur ato të tjerat. Këto ishin detyrime të njohura. Gropën e buxhetit e kanë rritur me 700 milion dollar, 240 mijë lek më shumë paguan çdo shqiptar. Ka marrë çdo shqiptar borxh këto vite me Edi Ramën dhe Ilir Metën, këta që do ta mbyllnin gropën. E thelluan me 700 milion dollar më shumë. Por çfarë bënë me këto para? Sa kantiere pune kanë hapur këtu në Durrës? Sa vende pune hapën në Durrës? Sa familje shtuan në listën e ndihmës ekonomike për shkak të pamundësive të krijuara? Asgjë, asnjë llogari, asnjë rezultat. Dhe sot asnjë zgjidhje, asnjë ofertë”, tha Basha.
Sigal