Basha në Bruksel, takim me Merkel: E falënderova dhe i kërkove hapjen e negociatave sa më parë

444
Sigal

Unë vij nga Esen, ku isha i ftuar
nga kancelarja Merkel në Kongresin e CDU-së, ku ajo u rizgjodh dhe shpalli
kandidimin për Kancelare të Gjermanisë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017.
Pata mundësinë të takohem me kancelaren Merkel, ta falënderoj për ndihmën që i
ka dhënë Shqipërisë, për mbështetjen që vazhdon ti japë vendit tonë jo vetëm
për integrimin në Bashkimin Evropian por edhe luftën kundër korrupsionit, kundër
krimit dhe për demokracinë, për zgjedhjet e lira në vend. Dhe dua t’i siguroj
të gjithë shqiptarët se kancelarja Merkel do të mbështesë pa asnjë lëkundje
Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këto sfida të jashtëzakonshme, në veçanti
sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe garantimin e zgjedhjeve
të lira dhe të ndershme si një sfidë imediate për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në
Bruksel kam pasur takime dhe do të vazhdoj të kem takime të nivelit të lartë me
anëtarë të Komisionit Evropian, me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore
Europiane,  eurodeputetët, ku në qendër të bisedimeve është padyshim sfida
që Shqipëria ka në raport me luftën kundër krimit, korrupsionit, zgjedhjet e
lira dhe të ndershme. Partia Demokratike dhe unë jemi fare të qartë në
qëndrimin tonë, ne kërkojmë hapjen e negociatave në momentin më të parë të
mundshëm edhe si një vlerë shtesë, dhe si një presion shtesë ndaj një qeverie
deficente në sundimin e ligjit. Shqipëria mund dhe do të ecë përpara, qytetarët
shqiptarë mund dhe do të përfitojnë nga integrimi evropian vetëm kur të kenë
një qeverisje që lufton për kauzat e tyre përmes luftës kundër korrupsionit,
luftës kundër krimit, luftës kundër drogës dhe garantimit të një demokracie
funksionale ku në themel janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Partia
Demokratike dhe unë kemi marrë përgjegjësitë sot si opozitë dhe nesër si
qeverisje për ti trajtuar këto probleme të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët,
jo vetëm për BE, me seriozitet dhe për ti zgjidhur ato. Me Partinë Demokratike
ligji për dekriminalizimin do të zbatohet deri më një, do të largohen
kriminelët nga Parlamenti, nga bashkitë dhe nga çdo funksion drejtues. Me
Partinë Demokratike do të ketë luftë të hapur dhe pa kompromis kundër drogës,
kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Ne do të zbatojmë reformën
në drejtësi që e votuam me konsensus të plotë me 22 korrik dhe nuk do të gjejmë
pretekste për të kontrolluar procese kyçe.