Basha në Bruksel: Shqetësim ndërkombëtar për rastin “Tahiri”

630
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimeve me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Evropiane, vuri në dukje jehonën në Bruksel të protestës së 27 Janarit për një drejtësi të pa kapur politikisht. Në takimet me drejtuesit më të lartë të PPE, Basha konfirmoi qëndrimin e opozitës se zgjidhja politike për Shqipërinë është një qeveri antimafia e çliruar nga krimi, që do t’i japë vendit zgjedhje të lira e të ndershme. “Duket qartë se zëri i shqiptarëve të bashkuar më 27 janar kumbon fuqishëm edhe këtu në Bruksel në zemrën e Bashkimit Evropian, në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në Parlamentin Europian. Ka një shqetësim të jashtëzakonshëm të institucioneve evropiane dhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare për ngecjen e reformës në drejtësi dhe për kapjen e drejtësisë, e cila mishërohet nga rasti “Tahiri’”, tha Basha. Kreu demokrat pati takime me Presidentin Joseph Daul, me zëvendëspresidentin dhe njëkohësisht kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, David Mcallister, me komisionerin Hahn, me kryetarin e Komisionit të Çështjeve Evropiane në Bundestag, Gunther Krichbaum dhe kryetarin e grupit parlamentar të PPE, Manfred Veber. Në këto takime mbizotëroi shqetësimi për hapat e hedhur nga Edi Rama për kapjen e drejtësisë dhe devijimin e reformës në drejtësi, me qëllim kontrollin politik të drejtësisë për të mbyllur dosjen “Tahiri” dhe të tjera hetime kyçe për luftën kundër krimit te organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit qeveritar. Basha vuri në dukje se si rezultat i këtyre akteve nuk ka asnjë rezultat për arrestimin e bosëve të krimit dhe drogës, për çmontimin e narkobandave, konfiskimin e aseteve kriminale, apo të politikanëve dhe zyrtarëve të lidhur me krimin. Gjatë takimeve në Bruksel, kreu i opozitës rikonfirmoi se opozita mbështet plotësisht çeljen e negociatave të anëtarësimit mbi bazën e meritës.
Sigal