Basha ndjesë ish-të përndjekurve: Mëkati dhe turpi më i madh i PD

450
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu drejtua mbrëmjen e sotme me një ndjesë në emër të partisë që drejton shtresë së ish-të përndjekurve politike dhe pasaardhësve të tyre.

Duke folur nga çadra e protestës, Basha tha se mospërmbyllja e dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit e diktaturës është turpi dhe mëkati më i madh i PD-së.

Lulzim Basha: Gjermanët e dinë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë: Të kujtosh dhe mos të harrosh.Për fat të keq ne shqiptarët kemi bërë lëshime dhe gabime të mëdha në këtë drejtim në 26 vitet e e fundit. Nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për paketat e dëmshpërblimit financiar të cilat duhet të kishin qenë të përmbyllura sot për të gjithë të përndjekurit dhe është një turp i madh që nuk janë përmbyllur dhe ne vazhdojmë të dëgjojmë dhe i kemi lënë dorë sharlatantëve, përsekutorëve dhe bijve të përsekutorëve të flasin dhe të bëjnë akoma propagandë me këtë çështje. Ky është padyshim një mëkat, një gabim dhe një faj i PD i cili do të ndreqet menjëherë. Kemi bërë shumë por nuk ka vend për justifikime por për ndjesë dhe ndjesë të thellë që shpresoj të pranohet nga të gjithë të përdjekurit politik dhe pasëardhësit e tyre.

Kryedemokrati garantoi përmbylljen e kalvarit 27-vjeçar dhe se do të vërë në vend dinjitetin e kësaj shtrese.

Lulzim Basha: Kanë garancinë e PD dhe timen si kryetar i saj se ne do të përmbyllim kalvarin 27 vjeçar, do ti japim fund harresës dhe projekteve të shtrembërimit të historisë, do zbatojmë standartet më të forta europiane për të vënë dinjitetin e të përndjekurve, nderin e shoqërisë së lirë në vendin që i takon duke u kujdesur që asgjë të mos harrohet dhe persekutorët në mos ligjërisht, të paktën në histori të marrin atë që meritojnë. Kjo punë nuk kryehet me një film dhe as me dy filma. Xhelatët, ata që kanë qenë në krye të persekutimit, ata që madje shkelin dhe ligjet e diktaturës duke torturuar të rinj dhe të reja nuk duhet të kenë asnjë vend në vendimarrjen e re të Republikës së Re. As në krahun e PS dhe as të PD, vendi i tyre është në skutat më të zeza të historisë sonë kombëtare. Sa kohë që ky nuk është kriter ligjor, dua të garantoj që një ndër tre kriteret bazë për përfaqësuesve të ardhshëm të PD në parlament do të jenë dosjet e pastra nga lidhjet me krimin, korrupsionin dhe nga e kaluara si bashkëpunëtorë apo xhelatë të diktaturës komuniste.
Sigal