Basha ndërtuesve: “Hartoni planin e detajuar vendor, për zonën që ju intereson”

437
Sigal

Përshpejtohet procesi i hartimit të planeve vendore dhe  në një kohë të shpejtë ndërtuesit  dhe pronarët do të zhvillojnë pronat

 

Duke nisur nga dita e sotme, në faqen zyrtare të Bashkisë, të gjithë të interesuarit mund të gjejnë formularët me anë të të cilëve mund të njoftojnë Bashkinë, për nisjen e punës së planit të detajuar vendor për lagjen, bllokun ku kanë interes ndërtuesit dhe pronarët, për të zhvilluar pronën. Këtë e bëri te ditur dje, Kryebashkiaku Lulzim Basha në një takim me ndërtues të Tiranës. Në këtë mënyrë, sipas Bashës do të përshpejtohet procesi i hartimit të planeve të detajuara vendore dhe do u jepet mundësia në një kohë të shpejtë ndërtuesve dhe pronarëve të zhvillojnë pronat. “Nuk merrni leje, vetëm e njoftoni Bashkinë, nuk është e nevojshme as të paraqiteni personalisht, as të takoni njeri, as të jepni dorë, as të pini kafe, thjesht do të çoni formularin: filloi hartimi i planit të detajuar vendor. Menjëherë pas përfundimit të planit tuaj të detajuar vendor, ju do e dorëzoni atë në Bashki dhe natyrisht është Bashkia ajo që e miraton. Në procesin e miratimit bën kontrollin, nëse plani i detajuar vendor është në përputhje me normativat e planit të përgjithshëm për atë pjesë të zonës. Ne si bashki, kemi 45 ditë afat për të miratuar planet e detajuara vendore. Ky është afati maksimal, po në ato raste kur puna është kryer me cilësi, që do të thotë nga ana e normave nuk ka asnjë dyshim që ka zbatuar normat e planit të përgjithshëm, duke ruajtur përqindjet e infrastrukturës, të gjelbërimit, duke ruajtur komponentët e rëndësishëm siç janë infrastruktura nëntokësore, parkime etj, unë ju garantoj ju, siç garantoj qytetarët sot, se ne do të miratojmë jo më vonë se pesë ditë pas paraqitjes së PDV-ve”, – u shpreh z. Basha. Për zonat të cilat  nuk kanë nevojë për këto studime, z. Basha bëri të ditur se të interesuarit mund të aplikojnë për leje, qe nesër në Bashki. “Ka raste kur vetë ndërtuesit mund të mos kenë paraqitur interes për një zonë, por pronarët kanë paraqitur kërkesë pranë Bashkisë. Në këto raste, Bashkia tashmë ka nisur hartimin e rreth 42 planeve të detajuara vendore, 15 prej të cilave do të përfundojnë javën e ardhshme. Ka afro 1/5 e qytetit, ku që nga ky moment nuk ka nevojë për plan të detajuar vendor, sepse procesi i ndërtimit aty është proces i mbushjes urbane dhe janë kryesisht kurora periferike e Tiranës, zonat e ndërtimeve, 2,3,4 kate. Të interesuarit mund të vijnë në Bashkinë e Tiranës, për të aplikuar për ndërtim që nga dita e nesërme. Gjej rastin, t’iu kërkoj qytetarëve të Tiranës që kanë interes për të ndërtuar në këto zona, si pronarë  apo banorë, të ndërpresin menjëherë çdo ndërtim pa leje apo çdo tratativë me këdo që ju premton legalizim të ndërtimit pa leje, sepse janë gënjeshtarë  dhe mashtrues. Ndërtimi pa leje ju ndëshkon ju, lejen mund ta merrni  brenda një jave në Bashkinë e Tiranës për këto zona”,- u shpreh z.Basha.  Kreu i Bashkisë është ndalur edhe tek lejet e ndërtimeve, të cilat ishin kthyer në një shqetësim të madh për ndërtuesit në Tiranë. Zoti Basha ka garantuar ndërtuesit se Bashkia ka vullnetin dhe angazhimin e duhur, për të bërë të mundur që leja e ndërtimit në Tiranë, të jepet në kohën më të shkurtër që aplikohet sot në botë. “Brenda 45 ditëve nga pranimi i dokumentacionit, Bashkia është e detyruar t’ju përgjigjet në raport me aplikimin tuaj, por edhe në këtë rast ju garantoj që në qoftë se aplikimi është në përputhje me ligjin është synimi i kësaj bashkie dhe i imi si kryetar i Bashkisë, që të hyjmë në histori, duke qenë bashkia që jep lejet e ndërtimit brenda kohës më të shkurtër në glob dhe të përmendemi nga raporti i Bankës Botërore “Doing Business”, si bashkia që merr kohën më të shkurtër për një leje ndërtimi. Sigurisht, unë këtë s’e bëj dot vetë, as aparati im nuk e bën dot vetë, ka nevojë për profesionalizëm dhe për kujdes nga ana e aplikantëve, por në qoftë se ju si faktorët kryesorë në këtë proces (sepse ju jeni në përgjithësi ata që bëni aplikimin, pasi keni mbledhur gjithë dokumentacionin ) jeni korrektë në zbatimin e kësaj liste transparente dhe ezauruese të kërkesave, unë ju garantoj se ne kemi instrumentet dhe vullnetin politik, që ta bëjmë Bashkinë e Tiranës, bashkinë ku leja e ndërtimit merret më shpejt se në çdo njësi vendore në rruzull. Singapori, më duket e ka 15 ditë, ne do përpiqemi ta bëjmë 14 ditë, nga dita e aplikimit”, –theksoi z. Basha.