Basha: Nano-Meta, qeverisje e mafies dhe e varfërisë!

486
Sigal

Do të përgjigjet deri në fund çdokush që cenon jetën, dinjitetin dhe pronën e shqiptarëve

 Kreu i PD-së,Lulëzim Basha: Do të përgjigjet deri në fund çdokush që cenon jetën, dinjitetin dhe pronën e shqiptarëve

Dje, pas kthimit nga samiti i PPE-së, Basha, në një konferencë shtypi, ka akuzuar ashpër. “Vendosa të thërras këtë konferencë shtypi, pas kthimit nga samiti i Partisë Popullore Europiane, jo për të njoftuar rezultatet e këtij takimi me rëndësi për zhvillimet demokratike edhe në Shqipëri- për ketë pret koha nesër e pasnesër- por për të denoncuar me forcë përpara opinionit publik shqiptar rrënimin që qeveria e oligarkëve “Rama-Meta” po u bën standardeve të shtetit ligjor në Shqipëri, shkeljet flagrante, arbitrare dhe në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut nga kjo qeveri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën. Dje ishte e shtunë, sot është e diel, fundjava, kur njerëzit pushojnë dhe relaksohen për të filluar javën e re. Por pikërisht këtë fundjavë  disa nga qytetarët e Republikës sonë, qytetarë të thjeshtë me halle shumë, sipërmarrës të ndershëm, e të tjerë, janë shoqëruar në komisariate,  janë arrestuar, janë vënë në pranga pa vendim prokurorie e gjykate, si në ditët më të errëta të shtetit policor komunist”,-deklaroi Basha. Më tej vazhdoi: “Dua të sjell në vëmendjen e publikut dhe të përsëris sot me gjithë  shqiptarët sentencën e madhe të demokracisë perëndimore sipas së cilës; asnjëri prej nesh nuk mund të jetë me të vërtetë i lirë, nëse vetëm njërit prej nesh i është marrë pa të drejtë liria, e i janë mohuar  pa ligj të drejtat; asnjëri prej qytetarëve nuk mund të jetë i qetë dhe i sigurt nëse vetëm njërit prej tyre i është shkelur dinjiteti njerëzor me çizmen e shtetit arbitrar… Nën petkun e reformës së administratës publike, nën alibinë e prishjeve të ndërtimeve pa leje, me pretendimin demagogjik se gjoja po bën  shtet, Edi Rama po hakmerret ndaj çdo individi që ka denoncuar korrupsionin dhe pazaret e tij si ish-krybashkiak deri dje dhe si Kryeministër sot. Më tej, Basha u ndal tek rritja e çmimit të energjisë elektrike. “Kryeministri po lëshon ultimatume prej të mbyturi duke harruar se përgjegjësi numër një për humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike është vetë ai që ka lejuar, inkurajuar dhe bekuar emërimin në detyra drejtuese në këtë sektor jetik, të shumë personave nga kontingjenti i tij i preferuar i të padiplomuarve, pazarxhinjve dhe të korruptuarve. U ka varur ujqërve të tij mëlçitë ne qafë dhe tani shkon dhe ua kërkon qytetarëve.  Mbi dy milionë shqiptarë po varfërohen përditë, po u merret fryma nga taksat e rritura, nga rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë, nga mungesa e shpresës për të ardhmen. Shumë prej bashkëqytetarëve tanë ndihen sot në vështirësi për bukën e gojës. Situata është shumë e rëndë, por jo pa shpresë. Shpresa është kurdoherë në duart tona”. Me tej, ai vazhdoi: “Në emër të Partisë Demokratike kam një premtim solemn për t’u dhënë, të nderuar qytetarë: të gjithë ata pseudozyrtarë, taksidarë dhe sekserë që guxojnë të shkelin ligjin dhe që abuzojnë me të drejtat tuaja do të vazhdojmë ti denoncojmë brenda dhe jashtë vendit siç kemi  bërë deri sot, do të vazhdojmë t’i përballim me ligjin  në gjithë hapësirën institucionale të sistemit demokratik,  në qoftë se ia kanë dalë t’i shmangen përgjegjësisë deri sot me ndihmën e  qeverisë, të jenë të sigurt se nuk do ti shpëtojnë përgjithnjë, por do të  përgjigjen deri në një për çdo veprim dhe abuzim të tyre”. Në fund Basha theksoi: “U bëj thirrje prokurorisë dhe gjykatave të vendit të mos tulaten nga presioni dhe kërcënimet e pushtetarëve të oligarkisë që sot qeveris vendin, por t’i përmbahen rigorozisht Kushtetutës dhe ligjit dhe t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve shqiptarë me të gjithë forcën që u jep ligji dhe shteti ligjor.