Basha: Mziu zyrë edhe në Paskuqan Më 21 Qershor do grisim hartën re

487
TIRANË – Dita vendimtare e 21 Qershorit për zgjedhjet e pushtetit lokal, do të shërbejë jo vetëm për të ndëshkuar me votë qeverinë Rama-Meta, por sipas liderit të opozitës Basha, fitorja e demokratëve do të pasohet me ndryshimin e hartës së re territoriale. Megjithatë, gjatë takimit elektoral që kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha pati me banorë të Paskuqanit, premtoi se ndarja e re administrativo-territoriale nuk do të ndikojë në angazhimin e të zgjedhurve demokratë përballë problemeve të qytetarëve të kësaj zone. Në këtë kontekst, Basha tha se kandidati i djathtë për bashkinë e Kamzës Xhelal Mziu, ku përfshihet edhe Paskuqani, do të ketë edhe një zyrë në këtë zonë.
“Votoni për platformën e Partisë Demokratike e cila pavarësisht prej hartë elektorale ju garanton se pushteti vendor e të zgjedhurit do të krijojnë instrumentet për të qenë afër jush që mos të detyroheni të merrni rrugën për Kamëz për të zgjidhur problemet, po t’i keni këtu përgjegjësit. Kandidati ynë Xhelal Mziu që përfshin dhe Paskuqanin, një ndër të parat që më tha: “Unë do kem të paktën dy zyra, paradite në Kamëz, pasdite në Paskuqan”. Jo vetëm kaq, edhe të zgjedhurit tuaj të derisotëm e njerëz të tjerë të shërbimit do t’i kërkohet të jenë natë e ditë pranë jush derisa të vijë dita kur këtë hartë anti-popullore, oligarkike, me votën e shqiptarëve ta grisim me hartën që doni ju, e ta zëvendësojmë”, tha Basha.
Por 21 Qershori sipas kryedemokratit është edhe një mundësi për t’i kërkuar llogari aleatëve në qeverisje Rama-Meta për premtimet e pambajtura.
“21 qershori nuk është çështje e hartës territoriale, e pushtetit vendor, është dita e llogaridhënies së munguar për bëmat e dyshes së të keqes Rama-Meta. Qeveria i ka shpunësuar banorët e kësaj zone, s’i ka dhënë mundësi për punë, po tani shkon e i merr dhe kacidhen e fundit e i thotë merrni borxh të paguni çmimin e rritur të energjisë. E ju thotë po nuk paguat faturën do ju mar shtëpitë. Në qendër të Kamzës Rama premtoi dy vite më parë legalizimi falas para dy vjetësh, se nuk do prekej asnjë shqiptar edhe po të çohej Enver Hoxha nga varri. Por shkatërroi me mijëra banesa biznese në proces legalizimi. Ndërkohë sarajet e tij në Surrel lartësohen, qeveritarë të ri blejnë e rezervojnë vila. Rama-Meta prej dy vitesh i janë shmangur llogaridhënies, ju janë fshehur ju. Po nuk na votuat do ju heqim bukën thonë tani. Çfarë e pandehin veten këta pronarë të pronave publike, të shtëpive tuaja, të bukës së gojës të të varfërve që i kanë shtuar me politikat e tyre? Prite kur të na thonë që janë pronarë të qiellit dhe të diellit. Shqiptarët po qeshin dhe po zihen me këto kërcënime të padëgjuara”, u shpreh Basha.
Basha e quajti fushatën e ndërmarrë nga koalicioni i majtë, një betejë për të sunduar Shqipërinë edhe në pushtetin vendor. Kjo sipas liderit demokrat, vërtetohet nga “zbarkimi” në terren i kryeministrit Rama dhe kreut të LSI-së Ilir Meta, të cilët janë angazhuar personalisht në prezantimin e kandidatëve.
“Kanë zbritur në fushë në zgjedhje lokale Rama dhe Meta. Po i digjet barku për qytetarët? Aspak! Kanë zbritur se përveç ankthit për ndëshkim me votë popullore kërkojnë me çdo kusht të shtrijnë sundimin e tyre anembanë Shqipërisë që të kurorëzohen si sundimtarë të Shqipërisë, të marrin edhe pushtetin vendor. Më 21 qershor do të hapim një rrugë tjetër për Shqipërinë, rrugën e investimeve që përmirësojnë shërbimet, rrugën e punësimit, që mos ta shikoni largimin nga Shqipëria si e vetmja rrugë”, përfundoi lideri demokrat gjatë takimit me banorët e zonës së Paskuqanit. 
Sigal