Basha mirëpret qëndrimin e Metës

533
Nga çadra e protestës në ditën e 46-të, Lulzim Basha i bën një thirrje të hapur kreut të LSI-së, Ilir Meta, pas qëndrimit të tij të mbrëmshëm për qeveri besimi.
Lideri i PD-së ndër të tjera i bëri thirrje për reflektim dhe kryeministrit Edi Rama, që ky i fundit t’i hapë rrugë krijimit të qeverisë teknike.

“Kemi parashtruar prej ditësh zgjidhjen për Shqipërinë, në këtë krizë të thellë. Jo një zgjidhje radikale, por një zgjidhje politike që i ofron një rrugë të paqtë Shqipërisë. Mbrëmë duke vendosur këto interesa parësore për Shqipërinë një nga dy partnerët e Qeverisë ka bërë zgjedhjen e tij, dhe ne i themi: ‘Në qoftë se kjo zgjedhje është e sinqertë mirësevjen te “Shqipëria e para”’. Nuk kërkojmë pazare politike, aleanca të kurdisura. Është rasti t’i drejtoj një thirrje njeriut që tashmë është identifikuar si pengesa e vetme për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Njeriut, i cili ka vënë dhe po vë karrigen e tij para demokracisë para zgjedhje të lira dhe të ndershme që të reflektojë dhe t’i hapë rrugë një qeverie teknike dhe me zbatim të gjerë politik. Dita po afron, kur pushtetin nuk do ta kenë më ata, por do ta keni ju. Vendimmarrja nuk do jetë monopol i kryeministrave, ministrave, apo pushtetarëve arrogantë. Do jenë prodhim dhe ekspozim i vullnetit dhe dëshirave tuaja. Ky është premtimi i Republikës së Re. E kam parë këtë ditë me qendra herë, ëndrra po vjen. Ëndrra po bëhet realitet. Ndaj për këtë na duhet qëndresë. Mos harroni, republika e vjetër ka në këto lojë miliarda euro të shqiptarëve”, përfundoi Basha.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Basha u shpreh ndër të tjera se pazareve po ju vjen fundi dhe kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme do triumfojë.

“46 ditë më parë ju nisët një marshim historik kombëtar dhe qytetar për të drejtën që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. 46 ditë më parë Shqipëria ishte një vend i shpresës së vrarë. Kjo sepse republika e vjetër ishte shndërruar dhe është shndërruar në një vend jo për të gjithë shqiptarët, por në një vend ku sundon republika korruptive. Në 3 vite e gjysmë kthyen Shqipërinë në një hambar të madh droge, por atyre po ju vjen fundi. Kjo elitë e republikës së vjetër e ka të domosdoshëm kapjen e zgjedhjeve dhe të zëvendësojë vullnetin tuaj. Kjo është arsyeja se pse brenda një viti. Republika e vjetër nuk iu përgjigj thirrjes së qytetarëve për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse ata e dinë që kjo është fundi i pushtetit të korruptuar të tyre. Ne jemi në këtë betejë prej 46 ditësh në një lëvizje e cila është më e madhe se opozita, sepse është lëvizja e një populli që do rrëzojë pushtetin e vjetër. Jo për pushtetin e Lulzim Bashës, por për të ardhmen e fëmijëve. Shqiptarët janë të parët. Ne nuk vëmë interesin e shqiptarëve para interesit të pelikanëve. Ne jemi të vendosur për fitoren e kauzës tonë. Republika e vjetër mbushi Shqipërinë me drogë”- tha Basha.
Sigal