Basha me Trump: Vizioni i tij, frymëzim për republikën e qytetarëve

513
Kryetari demokrat takon presidentin amerikan: Kauza e tij, inkurajim për lëvizjen tonë. Komenton edhe Berisha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar në Shtetet e Bashkuara me presidentin amerikan, Donald Trump. Në një njoftim zyrtar, Basha u shpreh se kishte zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm me kreun e Shtëpisë së Bardhë. “Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”, u shpreh kreu demokrat. Ai sqaroi se kishte zhvilluar një vizitë dyditore në SHBA gjatë Javës së Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhet e punës dhe financimin e studimeve. “Mirënjohje të pakufishme Presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët!”, mbyllet njoftimi i Partisë Demokratike. Takimi i Bashës me Trump është bërë në kuadër të aktiviteteve të një nisme të vajzës së tij, Ivanka, që synonte rikthimin e vëmendjes tek ekonomia dhe slogani i Trump “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”. Aktiviteti, siç thuhej edhe në njoftimin e PD-së, quhej “Java e Zhvillimit të Fuqisë Punëtore në Shtëpinë e Bardhë”. Takimin Trump-Basha e komentoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha. “Lulzim Basha, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetar i Opozitës së Bashkuar takon Presidentin e SHBA, Donald Trump!”, u shpreh Berisha. Kryetari demokrat ndërpreu për disa ditë fushatën elektorale për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara. Ai pritet të kthehet sot në Tiranë për të vijuar takimet me mbështetësit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Fokusi i takimeve të fundit elektorale të demokratëve ka qenë ekonomia. Drejtuesit demokratë janë shprehur se me të ardhur në pushtet do të heqin menjëherë taksën e naftës, 240 lekë për litër, çka do të ndikojë në uljen e çmimit. Gjithashtu, PD ka premtuar se për bizneset e vogla plani ekonomik parashikon ulje taksash,që do të lënë më shumë para në xhepat e shqiptarëve, do të rrisin konsumin, do të ndezin ekonominë, duke rritur prodhimin e krijuar vende të reja pune.
Sigal