Basha: Me 80 milionë dollarë që qeveria shpenzon për luks mund të paguhej katër herë fatura vjetore e energjisë

Sipas Partisë Demokratike, terrori i tatimorëve ndaj biznesit, gjobat e larta, heqja e ndihmës ekonomike për familje në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuara ishin disa nga shqetësimet që tregtarët dhe banorët e Kamzës, Bathores dhe Paskuqanit i kanë shprehur kryetarit Lulzim Basha.

“Lekët e doganave i fusin në xhepat e tyre dhe pastaj për të kompensuar këtë vjedhje që i bëjnë qytetarëve shkurtojnë ndihmën ekonomike, shkurtojnë investimet, nuk rrisin rrogat, nuk rrisin pensionet, rrisin çmimin e energjisë. E gjithë barra e korrupsionit bie mbi shpatullat e qytetarëve dhe më shumë mbi shpatullat e qytetarëve të pamundur”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së shtoi se “paratë i ka përpirë kuçedra, oligarkia”. 

Basha vizitoi dhe një biznes fason. Duke parashtruar paketën fiskale të Partisë Demokratike, zoti Basha kërkoi nga sipërmarrësit rritjen e pagave: “Ju e dini platformën tonë që do ta çojmë 9% tatimin, 0 dividentin. E vetmja kërkesë është që një pjesë e kësaj të transferohet punonjësve në rritje rroge”.

Basha theksoi se investimet në infrastrukturë që hapin vende pune do të jenë prioritet i qeverisë së drejtuar prej tij. Duke u ndalur tek diskriminimi që qeveria u bën bashkive të fituara nga të djathtit ku pasojat bien direkt tek qytetarët, zoti Basha theksoi se kjo praktike antidemokratike do të marrë fund. Investimet e qeverisë do shkojnë kudo ku kanë nevojë qytetarët, pasi një qeveri votohet për t’ju shërbyer të gjithëve pa dallime politike.

“Fatura totale për familjet në ndihmë ekonomike për të paguar deri në 300 kw energjinë është 20 milionë dollarë në vit. Këta vetëm për orendi, për zyra, për perde, për xhaguarë harxhojnë 80 milionë dollarë në vit. Pra, me paratë që këta harxhojnë në një vit mund të paguajnë katër herë fatura e energjisë për familjet në ndihmë ekonomike”, deklaroi Basha.