Basha me 5 ambasadorë të BE-së, u tregon tre hapat e puçit kushtetues të qeverisë

422
Situata aktuale në të cilën është futur politika shqiptare si dhe qëndrimi i opozitës përballë vendimeve të mazhorancës, ishin në fokus të takimit mes Bashës dhe ambasadorëve 
Ashtu sikundër edhe ishte paralajmëruar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi gjatë ditës së djeshme një takim me ambasadorët e 5 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë takim nuk ishte e pranishme, ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin. Pas mbylljes së takimit, PD doli me një njoftim, ku tha se njohu ambasadorët me qëndrimin e saj kundër zgjedhjes antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në takim ishin përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë dhe Greqisë. Mësohet se kreu i PD-së nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me veprimet e qeverisë që sipas tij çuan në një puç kushtetues dhe kanë futur në krizë sistemin e drejtësisë, kanë shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin. Basha u ka folur ambasadorëve për tre hapur e puçit kushtetues. Sipas tij ato janë , vonesa e qëllimshme për mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga Parlamenti, zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë dhe pa kaluar vetingun. Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën. Më tej kryetari i PD është shprehur se opozita ka faktuar me vepra dhe jo me fjalë, se ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit evropian, përfshirë edhe çeljen e negociatave të anëtarësimit, por më pas theksoi, se procesi është plotësisht në dorën e qeverisë, e cila duhet të përmbushë 5 prioritetet, që nuk varen aspak nga opozita. Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të PD-së thuhet se kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorëve të vendeve anëtare qëndrimin e pandryshueshëm të Partisë Demokratike për të bërë të gjitha përpjekjet, që vendi t’i rikthehet kushtetutshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim – u shpreh Basha. Kryetari i opozitës i siguroi ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se, në përputhje me vlerat më të larta demokratike, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.
Sigal