Basha mbledh Grupin e ri të PD, Topalli e sulmon: Njësoj si Makbethi

562
Jozefina Topalli, ish-nënkryetarja e PD-së e ka sulmuar sërish me ashpërsi, Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, fitues i një mandati të dytë në krye të partisë. Topalli sot është nxitur nga vendimi i Bashës për të mbledhur, Grupin e ri parlamentar të kësaj partie, në një kohë kur ende nuk ka përfunduar mandati i Grupit të mëparshëm.

Topalli e quajtur këtë akt të Bashës, “urrejtje” ndaj deputetëve që iu bashkuan në bojkotin e Kuvendit dhe vetë kryetarin e ka krahasuar me …Makbethin.

Ja ç’shkruan Topalli në Fb:
“Sot kur KQZ miratoi me 7:0, rezultatin përfundimtar të 25 qershorit, ku e majta ka më shumë se 2-fishin e votave të Listës Basha, kryetari i delegjitimuar nga 22 Korriku dhe i shkarkuar me humbjen katastrofale të 25 Qershorit, nuk di as të fshehë më urrejtjen e egër të tij ndaj grupit parlamentar, që bëri opozitën më të fortë kundër krimit në Parlament e luftën më të fuqishme kundër droges si politikë shtetërore të Edi Ramës.

Urrejtja kundër grupit të deputetëve, që bojkotoi një vit, Kuvendin, në një sakrificë gati unike, është e vetmja gjë e pakamufluar nga Lulzim Basha.

Ai sot, 4 ditë pas vetëshkrirjes, duke rendur kundër arsyes, në kundërshtim me Kushtetutën, në dhunim të çdo norme morale dhe etike, jo vetëm që nuk e njeh më as ligjërisht grupin parlamentar të PD, por në një gjest të paprecedent, nuk i durohet të presë edhe një muaj, sië e do rasti e rregulli, kur mbaron mandati i legjislaturës aktuale.

Ky, që nuk mblidhte grupin parlamentar kur e detyronte statuti, kur e kërkonte koha dhe deputetët që thirrnin me shqetësim që të mos e çonte PD-në drejt greminës, siç ndodhi në fakt, siç e paralajmëruam, sot mbledh listën e tij klienteliste familiare me shpresë se pas kësaj do të shpëtojë nga ankthi i manipulimit dhe falsifikimit të pjesëmarrjes të 22 Korrikut dhe rezultatit katastrofal me minus 230 mijë vota të 25 Qershorit. Krejt si Makbethi, kur flet me vete e pëshpërit:

” Moj kohë, rend më shpejt se tmerri im!”
Sigal