Basha: Lufta vazhdon ditë për ditë në të gjitha format

514
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se opozita do ta vazhdojë luftën e saj ditë për ditë, në të gjitha format dhe mënyrat. Ai shprehur mirënjohjen për protestuesit e 27 janarit dhe nënvizoi se ky bashkim i shqiptarëve është mesazhi më i qartë se shqiptarët nuk e pranojnë më këtë gjendje. “Ky mesazh ka ardhur përmes një proteste masive popullore të paprecedentë në 27 vite, një bashkimi gjigant vullnetesh i cili u shpreh përmes vlerave, parimeve dhe standardeve demokratike dhe evropiane, dhe i tregoi botës mbarë se në Shqipërinë që ata e njohin si Shqipëria e krimit, e drogës, e korrupsionit të Edi Ramës, ka po kështu dinjitet. Ka vlera, ka respekt për demokracinë, edhe për ligjin. Ka një popull evropian, ka një popull të vlerave, ka një popull demokrat që e do demokracinë, e do drejtësinë e barabartë për të gjithë, e do lirinë dhe është i gatshëm të punojë, të luftojë për ta arritur atë”, tha Basha. Sipas tij, shumica dërmuese e shqiptarëve e refuzojnë qeverinë e bandave, qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, që janë shkaku i varfërisë, i padrejtësisë, i papunësisë, i çmimeve të larta, i taksave të larta, i rrënimit të shëndetësisë dhe arsimit, i gjendjes ku ndodhen sot studentët dhe pensionistët, të rinj e të reja, të moshuar, intelektualë, të papunë dhe fermerë. “Fitorja e kësaj beteje është një ogur i mirë për luftën e përditshme në të cilën është angazhuar opozita dhe në të cilën jemi bashkë sot këtu me shumicën e shqiptarëve. Ne do ta vazhdojmë këtë luftë ditë për ditë, në të gjitha format dhe mënyrat. Çdo hapësirë institucionale, në rrugë dhe në sheshe, bashkë me qytetarët për të arritur fitoren e kësaj kauze pa të cilën nuk mund të ketë të ardhme, pa të cilën nuk mund të ketë Shqipëri europiane”, u shpreh kreu demokrat. Sipas tij, opozita ka marrë një mesazh shprese për të vazhduar angazhimin deri në realizimin e qëllimit afatshkurtër politik që është një qeveri antimafia që do t’i hapë rrugë zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një reforme zgjedhore dhe natyrisht përmes zbatimit të reformës në drejtësi sipas Kushtetutës së Shqipërisë.
Sigal