Basha: Lidhja e krimit me politikën, paratë e trafikut, krimit dhe korrupsionit po shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri

424
Sigal

Kryetari i Partisë
Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim Ambasadorin e ri të prezencës së
OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Zoti Basha i bëri një
prezantim situatës së rënduar në vend me theks të veçantë nevojën akute për
garantimin e kushteve për zgjedhjet e ardhshme.

Në mënyrë të
qëllimshme, Rama pengon bërjen efektive të komisionit për reformën zgjedhore
dhe që prej muajit Maj ka refuzuar platformën e paraqitur nga Partia
Demokratike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Reforma, theksoi zoti
Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i
priste rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme, e konsideroi kryetari
i Partisë Demokratike, çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar
kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit
si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të
partive politike.

Lidhja e krimit me
politikën, paraja e siguruar nga trafiqet, krimi dhe korrupsioni po
shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri theksoi kreu i opozitës.

Zgjedhjet e 2015-ës e
më pas ato të Dibrës, treguan qartë se Edi Rama do të përdorë paratë e drogës
dhe rrjetet kriminale për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa krimi
do të blejë pushtet politik. Kjo përbën‎ rrezikun më të madh për zgjedhjet e
ardhshme, theksoi zoti Basha. Ai shtoi se zgjedhjet e ardhshme janë dhe arsyeja
pse Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Ambasadori
Borchardt  garantoi zotin Basha se OSBE
me ekspertët e saj do të angazhohet për të asistuar funskionimin sa me parë të
komisionit të Reformës Zgjedhore për të përmirësuar legjislacionin në përputhje
me rekomandimet e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut
(ODIHR).