Basha: Lezha nuk do të mbetet peng i Gjirit të Lalzit

156
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi sot kandidatin për kryetar të Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. Lideri i opozitës ka theksuar se ashtu si në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë ka një padurim të madh për t’i dhënë mësimin e merituar në 21 qershor dyshes Rama-Meta për keqqeverisjen. Në 20 muaj qeverisje, – theksoi z. Basha kanë rritur taksat, çmimin e energjisë, çmimin e karburantit, kanë hequr me mijëra njerëz nga puna pa të drejtë, ndërsa dhjetëra, mijëra të tjerë i kanë hedhur në mes të rrugëve duke u mbyllur bizneset, duke ua bërë të pamundur ekzistencën, duke i shtyrë drejt dëshpërimit. 
“Dyshja Rama-Meta premtoi parajsën por na ktheu prapa, na ktheu shumë prapa, e zhytën në mjerim, e zhytën në varfëri Shqipërinë. Sot, 95% e familjeve shqiptare duhet të marrin borxh që të mbyllin muajin. Dramatike, tragjike, e papranueshme është fatura e qeverisjes së tyre këtu në Lezhë, si kudo në Shqipëri, ku familjarët, kryefamiljarët jo vetëm numërojnë qindarkat për të vënë bukën e fëmijëve në tavolinën e përnatshme por janë shtyrë edhe drejt akteve të vetëflijimit. I morën jetën Mark Brahimajt sepse e larguan me të padrejtë nga puna dhe nuk i dhanë një ditë përgjigje se përse e bënë. 
I morën jetën Gjovalin Lazrit sepse i çuan një faturë të papërballueshme të energjisë elektrike, babait të jetimëve të pamundur ndërkohë që deputetët e tyre, ministrat e klientela e tyre akumulojnë borxhe të jashtëzakonshme në kurriz të taksapaguesve, askush nuk i prek me dorë, përkundrazi, i promovojnë, i veshin me pushtet, i bëjnë edhe më të pasur me paratë e taksave të lezhianëve dhe të shqiptarëve që i kanë rritur si asnjëherë më parë. 
Këtu në Lezhë, ka rënë shumë rëndë hanxhari i arbitraritetit, i padrejtësisë, i sistemit të vjedhjes suaj ditën e natën, i sistemit që ka rrënuar çdo shpresë e që po u lë vetëm një shteg shqiptarëve, të ikin, të largohen nga vendi i tyre. Ky është shtegu që do t’i lerë Edi Rama dhe Ilir Meta shqiptarëve, jo punë, jo mirëqenie, jo dinjitet por vetëm largim.” 
Z. Basha theksoi se drama të mëdha kanë shkaktuar e po shkaktojnë ditë për ditë dyshja Rama –Meta me papërgjegjësinë dhe korrupsionin e tyre duke e kthyer prapa Lezhën dhe Shqipërinë. Të vetmit që kanë përfituar nga qeverisja e tyre janë kriminelët që janë promovuar në nivelet më të larta të administratës së bashku me personat pa arsim apo me diploma false që sot janë drejtorë.
“21 qershori do të jetë dita juaj, dita jonë për të flakur tutje këtë poshtërim, do të jetë dita jonë, do të jetë dita juaj për t’i thënë jo kthimit prapa, për t’i thënë jo politikës së taksave të larta, çmimeve të larta, papunësisë, arbitraritetit, arrogancës. Do të jetë dita juaj për të vendosur Bashkinë e Lezhës në duart e lezhianëve. Ata që rritën taksat, ata që futën duart thellë në xhepat tuaj dhe baballarëve e nënave tuaj, rini e Lezhës, çfarë bënë me këto para? 
A kthyen shërbime te qytetarët e Lezhës, a hapën vende të reja pune, a përmirësuan ndopak cilësinë e jetës suaj, a plotësuan premtimet e tyre për shëndetësi falas. Asnjë nga këto. Çfarë kanë bërë? Qendrën e Lezhës që ju e mbani mend fare mirë, u investua vetëm 10 vite më parë, tashmë po e riinvestojnë me çmimin e kripur, me faturat e kripura abuzive e korruptive. Nuk hapin vende pune, nuk japin asnjë perspektivë as për fermerët, as për rininë lezhiane por hapin vepra korrupsioni, fasada e palma korrupsioni” – theksoi z. Basha. 
Z. Basha ka ftuar lezhianët dhe shqiptarët t’i bashkohen ofertës së re të PD për punë dhe dinjitet, paratë qe sot janë përqendruar në duart e oligarkëve të kthehen në projekte zhvillimi për qytetarët, për bujqësinë, blegtorinë, turizmin, për peshkimin, për të gjithë asetet që nuk u takojnë e nuk mund t’u takojnë kurrë oligarkëve por janë e do të jenë prona, pasuria, mirëqenia e qytetarëve. 
“Në këtë përbashkim të madh e të paduruar sot, le të ftojmë këdo, çdo lezhiane e lezhian, pavarësisht ngjyrave politike që e do kryeqendrën e bashkisë së ardhshme për Lezhën e për lezhianët, që e do qeverisjen e Lezhës nga Lezha, çdokush që e di se hallet mund e duhet t’i zgjidhë me atë që përfaqëson Lezhën e lezhianët, këtu në Lezhë, pavarësisht prej bindjeve politike, çdokush që refuzon regjimin, nënshtrimin dhe qeverisjen nga Gjiri i Lalzit, le të bashkohet me ne, me votën e 21 qershorit, me Fran Frrokaj, me PD, me opozitën! 
Koha po vjen, ora po vjen. Është ora, vota juaj, është vendimi juaj, është gjykimi juaj të cilit ata i tremben për paudhësitë e zullumet që kanë shkaktuar në këto dy vite. Mos u gënjeni, mos u mashtroni, mos qëndroni pasivë, të marrim këdo që do të bashkohet në këtë kauzë të madhe popullore për punë dhe dinjitet e së bashku t’i japim ndëshkimin e merituar keqqeverisjes Rama-Meta, së bashku të hapim një kapitull të ri, një epokë të re për qytetarët e Lezhës, për banorët e Lezhës, për të gjithë Shqipërinë, të qeverisjes me ju dhe për ju, të qeverisjes me frymëzim dhe sytë nga hallet e problemet tuaja, të qeverisjes së zemrës së dhimbsur të qeverisjes së zgjedhjeve dhe zgjidhjeve të mëdha për ju!” – u shpreh lideri i opozitës Lulzim Basha.