Basha: “Lamë pas trashëgiminë e hidhur të neglizhimit të interesit qytetar”

461
Sigal

Kryebashkiaku i Tiranës: “Së shpejti nis ndërtimi i infrastrukturës, nga  rruga “Shefqet Kuka”, deri  në kufi me Komunën Dajt”

Lulzim Basha, Kryetari i Shtabit elektoral të PD-së, për Qarkun e Tiranës, ka marrë pjesë në mitingjet madhështore elektorale që janë zhvilluar në qytetin e Kavajës dhe të Rrogozhinës. Edhe një herë tjetër, elektorati shqiptar shprehu besimin e tij te programi i PD-së dhe zotimin se në 23 Qershor vota e tij do të përcaktojë vazhdimësinë e procesit të  zhvillimit të vendit, duke dënuar politikat e bllokimit.

Me një investim prej 36,2 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut 34/1, në Njësinë Bashkiake nr. 8. Rikonstruksioni i këtij blloku prej 2.3 ha, u shërben 5 000 qytetarëve të zonës.  Në këto punime u trajtuan hapësirat e lira brenda sipërfaqes së bllokut, me ndërhyrje të  rehabilitimit dhe rikualifikimit urban, duke ndërtuar edhe hapësira për parkimin e mjeteve.  Janë mbjellë 58 copë shkurre dekorative dhe pemë e po ashtu janë vendosur stola për  banorët, ndërsa të gjithë sheshet dhe rrugët janë pajisur me kosha të vegjël për hedhjen e  mbeturinave. Për ndriçimin e rrugëve dhe shesheve, janë vendosur gjithsej 23 copë  ndriçues, janë realizuar punimet për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, duke zgjidhur përfundimisht problemin e gjithashtu, janë kryer edhe punimet për  sinjalistikën rrugore vertikale dhe horizontale. “Ky është rezultat i një investimi të mirëplanifikuar të Bashkisë, në bashkëpunim me komunitetin dhe Njësinë Bashkiake nr.8 dhe është pjesë e paketës së blloqeve që ne buxhetuam për vitin 2012, ndërkohë ju kujtoj se puna ka filluar për afro 6 blloqe të buxhetuara me vitin 2013 dhe në total, deri në fund të korrikut, anembanë qytetit të Tiranës, 30 blloqe me një sipërfaqe totale prej afro 300 ha do i nënshtrohen një investimi të plotë, që do kthejë parametrat normalë dhe evropianë të jetesës në këto lagje të Tiranës. Siç e shikoni, angazhimi ynë vazhdon, shtrihet në çdo lagje, çdo rrugë dhe çdo rrugicë, në qendër apo periferi, në zona të vjetra e të reja të Tiranës dhe nuk do ndalim, deri sa Tirana në tërësinë e saj, të ketë arritur parametrat e një qyteti modern dhe evropian dhe të kemi lënë pas trashëgiminë e hidhur të moskokëçarjes dhe neglizhimit të interesit qytetar”, – u shpreh z. Basha.

Basha: “Së shpejti nis ndërtimi i infrastrukturës, nga  rruga “Shefqet Kuka”, deri  në kufi me Komunën Dajt”

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës “Teki Selenica”, në Njësinë Bashkiake nr. 4. Rruga i shërben një komuniteti prej 4000 banorësh, të ardhur kryesisht pas viteve ’90, por që nuk kishin parë asnjë investim në zonën e tyre. Me një investim prej 40 milionë lekësh është ndërhyrë në paketën e plotë të infrastrukturës nëntokësore, kanalizimet e ujërave të zeza, të bardha, ujësjellësit, trotuare në të dy anët, gjelbërim me 150 fidanë si dhe ndriçim. Edhe në këtë rrugë, muret e vjetra rrethuese të shtëpive janë zëvendësuar me kangjella. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha u ka bërë të ditur banorëve, se po përfundon projekti dhe këto standarde do të shtrihen në të gjithë njësinë.   “Siç u shprehën edhe vetë banorët, jo vetëm u është dhënë fund njëherë e përgjithmonë problemeve që kishte komuniteti, me mungesën e infrastrukturës, por investimi  ka rritur vlerën e pronës së tyre dhe standardin e jetës së tyre në këtë lagje.  Jam i vendosur që këtë standard ta shtrijmë në të gjithë pjesën tjetër të kësaj zone, nga rruga “Shefqet Kuka”, deri  në kufi me Komunën Dajt, pra në të gjithë bllokun po përfundon projekti dhe do të fillojë shumë shpejt investimi, ndërkohë që këtu tek “Teki Selenica”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes do kërkojmë që një pjesë të pronës që ndodhet pranë nesh, ta kthejmë në një park për banorët e kësaj zone, për banorët e kësaj rruge, për t’i dhënë akoma më shumë hapësirë të gjelbër dhe hapësirë rekreative, fëmijëve, të moshuarve dhe qytetarëve  të Njësisë Bashkiake nr.4″, – deklaroi z. Basha.

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA”: “POPULL SHQIPTAR, MOS VOTONI ARDHJEN NË PUSHTET TË KOMUNISTËVE!”

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” i konsideron zgjedhjet e 23 Qershorit shumë të rëndësishme për të ardhshmen e afërt dhe të largët të fateve të vendit e të zhvillimeve demokratike në atdhe, prandaj i bën thirrje popullit shqiptar të marrë pjesë masivisht në zgjedhje, të votojë me qetësi dhe të shprehë vullnetin në mënyrë të lirë. T’i tregojë botës demokratike, pjesë e së cilës aspirojmë të jemi, se ne e meritojmë integrimin dhe bashkëjetesën në Bashkimin Europian. “Vatra”, si organizatë patriotike, e pa rreshtuar as majtas as djathtas, por që shqetësohet për fatet e atdheut dhe me një histori të gjatë antikomuniste, i bën thirrje popullit shqiptar Të votojë kundër ardhjes në pushtet, në çfarëdo forme, të partisë komuniste, si rrezik real për fatet e demokracisë së brishtë shqiptare. Të votojë kundër rivendosjes të përmendores se diktatorit në sheshet e qyteteve shqiptare; një synim të tillë “Vatra” e konsideron  fyerje dhe provokim që vë në provë memorien e freskët të shoqërisë shqiptare; Të votojë kundër ribërjes së gjyqeve politike për ish të përndjekurit politikë. Të mos mbështesë iniciativa të huazuara nga praktikat komuniste që realizohen vetëm me dhune dhe diktaturë; “Vatra” i kujton popullit shqiptar së rilindje e dytë qe dhjetori 1990, që përmbysi diktaturën enveriane, se simbolika e bashkimit të katër partive komuniste ashtu si ndodhi në tetor 1941 nuk është rilindje e popullit shqiptar, por rilindje e “8 Nëntorit”‘; “Vatra” i bën thirrje popullit shqiptar që të mos votojë për forcat politike, të cilat nuk distancohen dhe nuk prishin aleancën me “rilindjen” 8 Nëntorëshe,  por të votojë vetëm ato forca politike që janë kundër rikthimit të komunistëve në pushtet, që janë për integrimin dhe progresin demokratik.. Ti kujtojë ato se e ardhmja nuk ndërtohet as me sloganet e të kaluarës, as me simbolet e diktaturës. Popull shqiptar, voto masivisht sot, nesër do jetë vonë!