Basha kundërshton hapur: Projekti i qeverisë për vettingun është mafioz, duan të kapin drejtësinë

468
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kundërshtuar hapur projektin e qeverisë teknike për vettingun, duke e cilësuar atë prpjekt mafioz. Nga çadra e protestës, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë, Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se, me projektin e tij për vettingun synon të kapë sistemin e drejtësisë.
Kryedemokrati ka hedhur akuza se në këtë “projekt mafioz” janë të përfshirë edhe diplomatë të huaj.

“Ky komplot ekonomik i kësaj qeverie ka zhvatur shqiptarët. Kjo vjedhje shtrihet në xhepat e çdo shqiptari. Këto para pastaj shkojnë në xhepat e një grushi njerzësish. Nuk do të bëhet drejtësi sipas formulës Rama-Tahiri-Shullazi. Rama kërkon të kapë sistemin e drejtësisë. Nuk do e lejojmë këtë. Jemi kundër projektit të Ramës për vettingun. Është një projekt mafioz. Janë të përfshirë edhe diplomatë të lartë”, tha Basha.

Basha tha se protestë e PD do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ndërkaq, ditën e sotme Basha përmendi sërish kërkesën për votim dhe numërim elektronik, sipas tij, si mënyra e vetme për të mos manipuluar zgjedhjet.

“Republikë e re nuk është thjesht qeveri teknike, por janë zgjedhje të lira e të ndershme, me votim elektronik, me numërim elektronik, ku as kriminelët, as militantët s’do kenë mundësi të manipulojnë votën. Ne do të kthejmë konkurrencën e lirë mes qytetarëve mes bizneseve, si i vetmi standard europian për zhvillimin ekonomik.

Ne e dimë se për ku jemi nisur, nuk ka forcë e cila mund të na ndalë. Ata e dinë fare mirë se çfarë do të humbasin. Kjo do të vazhdojë deri sa republika e vjetër të jetë histori, dhe republika e re të jetë realitet.
Sigal