Basha kthehet te pakti me Ramën: Ndryshim sistemit zgjedhor

490
Kryetari i PD-së kërkon nisjen e reformës zgjedhore, një nga pikat e marrëveshjes së 18 majit me kryeministrin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është rikthyer marrëveshjes me kryeministrin Edi Rama, duke këmbëngulur te nevoja për reformimin e sistemit zgjedhor. Ndonëse nuk e ka cituar në mënyrë direkte paktin e 18 majit me Ramën, kryedemokrati është shprehur se reformimi i sistemit zgjedhor do t’i japë fund historisë së manipulimit të zgjedhjeve. Kreu demokrat Lulzim Basha mori pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE), që zhvillohet në Kopenhagen me pjesëmarrjen e drejtuesve të partive të djathta evropiane. Para Asamblesë, Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve politike në vend dhe ndau me politikanët e djathtë evropianë vizionin e tij për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës. Sipas njoftimit zyrtar, në mënyrë të veçantë, ai theksoi rëndësinë që ka për opozitën dhe vetë demokracinë në Shqipëri reformimi i sistemit zgjedhor, për t’i dhënë fund përgjithmonë historisë së manipulimit të zgjedhjeve.

Pikërisht reforma zgjedhore në legjislaturën e re, që do të nisë më 9 shtator, është njëra nga pikat e marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës më 18 maj, që i dha fund një krize të ashpër politike. Vetë Basha u shpreh pas humbjes së zgjedhjeve se Rama nuk e respektoi marrëveshjen, duke i blerë zgjedhjet, ndërsa të dy politikanët kanë rënë dakord për një paketë më të gjerë reformash. “Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re); Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re); Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese; Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike”, thuhet në dokumentin e firmosur nga Rama e Basha. Aktualisht Shqipëria i zhvillon zgjedhjet në bazë të sistemit proporcional rajonal, ndërsa janë hedhur disa ide në publik edhe për mundësinë e kthimit në sistemin mazhoritar, që do të forconte dy partitë e mëdha. Megjithatë, ndryshimi i sistemit zgjedhor do të kërkojë domosdoshmërish bashkimin e votave të dy partive më të mëdha. 

Gjithashtu, në bisedat me drejtuesit e partive simotra, Basha diskutoi gjithashtu mbi përballjen me sfidat për integrimin evropian të vendit, dhe mori mbështetjen e tyre në këtë proces. Basha mori gjithashtu premtimin për vazhdimin e mbështetjes direkte politike të PPE-së dhe partive simotra për Partisë Demokratike, përfshi mbështetjen me këshillim dhe asistencë në lidhje me strategjinë dhe alternativën opozitare. Nga ana e saj, PD ende nuk ka përcaktuar cilat do të jetë lëvizjet e saj kryesore në mandatin e ri opozitar, ndërsa pritet që gjatë javës të diskutohet për strategjinë parlamentare dhe politike. Gjithashtu, Partia Demokratike duhet të caktojë brenda pak ditësh edhe drejtuesit e grupit të saj parlamentar, si dhe një përfaqësues që do të jetë zëvendëskryetar i Kuvendit. 

Çfarë parashikon marrëveshja
REFORMAT
1 – Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
2 – Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
3 – Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
4 – Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.
Sigal