Basha: Krimi i organizuar, sfida më e madhe për shtetin ligjor dhe integrimin

459
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike priti Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit pranë Komisionit Europian, Christian Danielsson.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit pranë Komisionit Europian, Christian Danielsson, me të cilin ndau shqetësimin për rritjen e kriminalitetit në vend dhe depërtimin e krimit deri në nivelet më të larta të qeverisjes.
Basha shprehu shqetësimin e thellë të kthimit të vendit në një terren të favorshëm për prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, duke përmendur rastet e fundit të instalimit të impiantit të kokainës, apo përfshirjen e efektivit të FA në trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

Kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi se dekriminalizimi është një proces jetik për vendin, e për të ardhmen europiane, pasi cdo ditë po konstatohen raste të emërimit të personave me precedentë të rëndë penalë deri në postet me të larta të qeverisjes.

Basha e njohu Drejtorin e Zgjerimit me aktet e njëanshme të mazhorancës që synojnë kapjen e drejtësisë dhe jo reformimin e saj.

Korsia që po ndjek mazhoranca, tha Basha, pa konsensus, pa ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë, pa përfshirjen e aktorëve të drejtësisë, është e rrezikshme, dhe e kundërta e modelit europian për të cilin ka nevojë vendi.