Basha krahason Ramën me Kim Jong Un: Gënjeve për negociatat, si Koreja e Veriut për fitoren e Botërorit

118

Kryeministri Rama është mjaftuar me një fjalë të shkurtër në seancën e sotme plenare, duke shprehur qëndrimin e tij për vendimin e BE për negociatat me Shqipërinë, të cilin e cilësoi një vlerësim pozitiv.

Por fill pas tij, vendin në foltoren e Kuvendit e ka zënë kryedemokrati Basha, tha se kreu i Qeverisë i gënjen qytetarët shqiptarë sa i takon vendimit për negociatat.

Teksa u shpreh se Shqipëria nuk ka marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, Basha nuk ngurroi të ironizojë kryeministrin Rama për deklaratat e bëra.

Madje ai e krahasoi me Kim Jong Un, i cili u tha qytetarëve të vendit të tij se Koreja e Veriut kishte fituar kampionatin Botëror të futbollit.

“Europa nuk do të tolerojë më zgjedhje si këto që ka bërë Rama, të manipuluara, të blera, me angazhim të policisë për të shkatërruar vullnetin e votuesve. E pastaj kemi një kabinet qeveritar si ky këtu që nuk mban përgjegjësi për qytetarët. Dhe Rama vjen këtu e flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, sepse nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj shqiptarëve. Kryemashtruesi, mashtruesi më i madh në këto vite, tha se ‘ne po punojmë që negociatat t’i hapim në qershor, e në mos në dhjetor. Domethënë brenda 2018, se në 2019 BE do të përfshihet në proces zgjedhor dhe mund të ketë ndryshime’. Këtë tha, por kur nuk i dolën këto e ndryshoi. Dje kur e pa që nuk kishte asnjë shqiptar t’i besonte gënjeshtrën, thirri ministrat e tij, dhe u tha janë hapur negociatat. Se ai thotë diçka, e këta veç tundin kokën. Me standardin e këtyre do të përfundojmë si Koreja e Veriut, ku lideri Kim Jong Un tha se kishin fituar kampionatin botëror të futbollit.

Por e vërteta është se Shqipërisë i janë shtuar kushte, sepse kemi një njëri që në vend që të largojë ministrat e lidhur me krimin i promovonte, sepse është vetë i lidhur me krimin. Ndaj kjo është arsyeja pse Shqipërisë nuk i hapen negociatat”, u shpreh kryedemokrati Basha.