Basha: Komplot i Ramës dhe ndërkombëtarëve të blerë

92
Kryetari demokrat akuzon oligarkët, mediat e korruptuara dhe avokatët e huaj të qeverisë dhe deklaron prerë: Nuk do të kthehem me fitore për veten time dhe PD-në 
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hodhi poshtë dje atë që e cilësoi si një komplot të republikës së vjetër për të ndërtuar një dialog fasadë me opozitën. Duke folur në çadrën e ngritur nga PD-ja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Basha tha se bashkimi popullor i 18 Shkurtit dhe protesta non-stop në këtë çadër të lirisë është mankthi dhe tmerri i Edi Ramës dhe i kupolës së republikës së vjetër.

“Për herë të parë, interesat e republikës së vjetër kërcënohen, kërcënohet pushteti i tyre. Sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk nuk do të hyjë dhe as nuk do të pranojë dhe as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për republikën e vjetër, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar”, tha Basha. Ai e detajoi idenë e tij, duke thënë se republika e vjetër “do të shpresojë që, përmes një dialogu fasadë, të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve, në emër jo të interesave të shqiptarëve, por të interesave të kupolës. Me pak fjalë, që Partia Demokratike dhe opozita të marrë karriget e saj dhe llokmat e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kjo është shpresa, ky është projekti”.

Sipas Bashës, “komploti i republikës së vjetër mbështetet nga autorët e këtij mjerimi dhe komploti ekonomik, që është kryeministri aktual dhe çeta e tij politike, por edhe nga oligarkët që janë mësuar të vjelin miliona, jo përmes punës së ndershme, por përmes tenderëve korruptivë dhe koncesioneve që nuk duan të mbarojnë, dhe nga kriminelët që duan të vazhdojnë ta mbjellin Shqipërinë me drogë e ta mbajnë Shqipërinë një pikë kyçe të trafikut të heroinës dhe kokainës”. Kreu demokrat nuk la jashtë edhe “pronarët e mediave të korruptuara, të cilat janë një pjesë e korporatës që përfiton milionat e shqiptarëve, duke treguar gënjeshtra nga mëngjesi në darkë”. “Dhe po ashtu, një grushti avokatësh ndërkombëtarë të kësaj qeverie që paguhen me paratë e korrupsionit dhe paratë e narkomafias shqiptare”, u shpreh Basha.

Për kreun demokrat, ky është një rreshtim impresionues. “Politikanë me pushtet, oligarkë me miliarda, kriminelë me kobure, pronarë mediash që kanë pothuaj të gjitha ekranet dhe gazetat e Shqipërisë, të gjithë bashkë”, u shpreh Basha. Në ditën e 47-të të protestës, kryetari demokrat tha se ishte po aq i vendosur dhe më i inkurajuar se kurrë. “Në këtë përballje nuk përfaqësoj as hallin tim, as interesat e mia dhe as interesat politike të ngushta të një partie politike, por përfaqësoj interesat dhe shpresat e gjithë shqiptarëve të ndershëm të cilët janë forca dhe siguria, të cilët janë bekimi i republikës së re që po vjen”, u shpreh Basha.

Ai nënvizoi edhe një herë se dialogu politik “nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanëve të opozitës me disa disa politikanëve të maxhorancës që të vazhdojë komploti ekonomik, që të vazhdojë komploti politik, që të vazhdojë republika e vjetër, që të vazhdojë mashtrimi, dështimi, vjedhja, papunësia”. Basha tha se mandati që ka marrë nga qytetarët më 18 shkurt “do të përfaqësohet me seriozitet, përgjegjësi dhe vendosmëri në çdo dialog politik, nga i cili nuk do të kthehem kurrë me fitore për veten time, me fitore për partinë time, por vetëm me fitoren për Shqipërinë, për shqiptarët, për Republikën e Re”.