Basha këmbëngul: Debat televiziv me kreun e qeverisë

509
Partia Demokratike hap fushatën dhe prezanton kandidatët në qarqet e Dibrës dhe Lezhës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hapi fushatën në qarqet e Dibrës dhe Lezhës, bashkë me ekipin e tij të kandidatëve për deputetë. Basha përsëriti kërkesën ndaj Edi Ramës për të dalë në një debat televiziv përpara shqiptarëve. “Prandaj Edi Rama nuk flet për bilancin e tij, sepse nuk ka bilanc. E harxhon kohën me barcaleta dhe sulme ndaj opozitës. Ia thashë nga Fieri, ia përsëris nga Dibra, meqë Dibra e ka për traditë; ftesën për debat të drejtpërdrejtë, televiziv. Le të na dëgjojnë dibranët, le të na dëgjojnë shqiptarët, cili është bilanci yt Edi Rama si kryeministër? Cili është bilanci im si kryetar i opozitës? Cili është programi yt Edi Rama? Cili është programi im dhe i Republikës së Re?”, u shpreh Basha. Më pas ai tha se le të gjykojnë dhe të vlerësojnë shqiptarët. “Mos ua moho shqiptarëve debatin! Mos ki frikë nga debati! Përgjigju dhe eja në debat!”, nënvizoi Basha. Lideri demokrat tha para dibranëve se Republika e Re do të ketë një ekonomi të fortë për të pasur një shtet të fortë. “Ne vijmë këtu të ndërgjegjësuar për damkën e madhe të turpit që ka marrë politika në gjithë këto vite e në veçanti në katër vitet e fundit. Unë vij këtu i ndërgjegjshëm që mosbesimi i shqiptarëve vetëm është thelluar nga mosmbajtja e fjalës gjithë këto vite. Por unë vij këtu, t’u kërkoj të më besoni në programin e përbashkët që ne ndërtuam për Republikën e Re”, tha Basha. Sipas tij, dy janë shtyllat e besimit. “E para plani ynë është i thjeshtë. Paratë e koncesioneve, tenderave, fasadave, palmave të cilat republika e vjetër i shpërdoroi, i abuzoi dhe i vodhi, ne do ti kthejmë tek ju, tek qytetarët shqiptarë. Unë, nuk do të jem kryeministri i fasadave, unë nuk do të jem kryeministri i pikturave, unë nuk do të jem kryeministri i palmave. Unë do të jem kryeministri i dibraneve dhe dibranëve të ndershëm, i njerëzve punëtor. Do të jem kryeministri i familjeve në nevojë dhe do të rris ndihmën ekonomike, do ta dyfishoj atë brenda 4 viteve të ardhshme”, nënvizoi Basha. Kreu demokrat premtoi se do të jetë kryeministri i pensionistëve shqiptarë. “Pensioni për pensionistët shqiptarë në krye të 4 viteve do të arrij në 250 mijë lekë në muaj. Do të jem kryeministri i rinisë dhe studentëve, të cilët, u jap fjalën që do të rihapim Universitetin e Dibrës. Unë do të jem kryeministri i fermerëve, shtoi Basha, të cilët do të marrin drejtpërdrejtë ndihmë financiare nga shteti në bazë të sipërfaqes së tokës që punojnë, në bazë të krerëve të bagëtive që mbarështojnë dhe prodhimit që gjenerojnë”, u shpreh Basha. Më tej kreu demokrat foli edhe për punësimin dhe problemet e papunësisë. “Unë do të jem kryeministri i të papunëve, sepse Republika e Re dhe Lulzim Basha kanë një qëllim, të hapin fabrika, të hapin vende pune. Çdo lekë do të shkojë për të punësuar shqiptarët, fund fasadave, fund palmave, fund telajove. Le ta kthejmë Shqipërinë një kantier pune! 1 miliard euro në vit do të çlirohen dhe do të xhirojnë në ekonominë shqiptare me taksat e ulëta të Republikës së Re. Këto do të përkthehen në vende pune, do të përkthehen në rroga më të larta, do të përkthehen në më shumë mundësi për punësim. Këto janë prioritet e mia”, tha Basha. Ai u kërkoi bashkim dibranëve dhe të marrin në dorë Dibrën më 25 qershor. “Në katër vite keni dëgjuar këto 4 vite sa jeni shurdhuar nga veshët si premtimi për rrugën e Arbrit. 97% prej jush do paguanin më pak taksa, fermerët do marrin të gjithë subvencione, 300 mijë vende pune që i bie me dhjetëra mijëra vende pune për dibranët. Të gjithë këto premtime, gjithë këto zhgënjime është fare e drejtë dhe e kuptueshme që dibranët t’i thonë lanet e sikter politikës. Republika e Re është mbi të gjitha premtimi, është mbi të gjitha zotimi ynë i përbashkët se që këtej e tutje fijet nuk do ti ketë në dorë një njeri apo dy njerëz por Shqipërinë dhe Dibrën do ta kenë në dorë Dibra për dibranët, Shqipëria për shqiptarët”, tha Basha.
Sigal