Basha: “Jo pseudo- reformë, jo njëanshmëri, jo pa qytetarët!”

514
Sigal

Zhvillohet konventa e të zgjedhurve vendorë

Reforma vendore, konsensus dhe gjithëpërfshirje, bashkëjetesa demokratike në udhëkryq

Kryetari i shoqatës së bashkive, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka qenë i prerë në qëndrimin tij se nuk do të pranohet një reformë administrativo-territoriale pa konsensus politik dhe qytetar. Në konventën e të zgjedhurve vendorë, zoti Basha ka sjellë në vëmendje refuzimin që kryeministri i bëri konsensusit, edhe pse për muaj me radhë kishte propaganduar se i kishte ofruar gjithçka që kishte kërkuar opozita. Justifikimi i kryeministrit se opozita e do konsensusin për të bllokuar, sipas zotit Basha e bën atë të pabesueshëm dhe qesharak.

 “Është turp për këdo që e dëgjon. Të trumbetosh 3-4 muaj me radhë se i kemi ofruar opozitës gjithçka dhe të deklarosh një ditë të bukur: – “nuk japim konsensus, se opozita e do për të bllokuar”, më falni por këtu kemi të bëjmë me një çarje të logjikës elementare apo asaj që populli i referohet si një lajthitje. Ky mosargument për të refuzuar konsensusin e bën atë qesharak dhe akoma më të pabesueshëm në sytë e publikut dhe partnerëve tanë.

 Me ç’tha në Kuvendin e Shqipërisë, pas përgjigjes sonë, vulosi atë që çdokush me mend në kokë e kishte supozuar, pra që ftesa për opozitën dhe komisioni parlamentar janë vetëm fasadë, shfaqje, kurth për kompromentimin e opozitës, për të arritur tek harta tashmë e paravendosur territoriale nga mazhoranca Rama-Meta. Kjo është një lëvizje që demaskon hipokrizinë dhe hilen e dyshes Rama-Meta, qëllimi i të cilëve është vetëm dhe vetëm një hartë e re administrative që kënaq orekset e tyre politike, lehtëson përdorimin në zgjedhjet e ardhshme vendore të skemave të njohura të joshjes e blerjes së votave që u përdorën në shkallë të gjerë në zgjedhjet e kaluara politike, krijon avantazhe politike lokaliste për zgjedhjet e ardhshme“ –  deklaroi z. Basha.

 Zoti Basha ka garantuar se edhe pse reforma administrativo-territoriale nuk është prioritet për marrjen e statusit, opozita ka shprehur angazhim për realizimin e saj, së bashku me shumicën qeveritare. Sipas zotit Basha, refuzimi sikurse deri më sot i konsensusit nga ana e qeverisë pa asnjë shkak real është një refuzim i bashkëjetesës demokratike, me pasoja të rënda për vendin. “Kërkojmë dhe ngulmojmë sërish për konsensus në hartimin dhe votimin e saj, në respekt të traditës demokratike europiane, dhe shqiptare, në respekt të kushtetutës të vendit, në respekt të nevojës për një klimë politike bashkëpunuese, qytetare mes shumicës dhe opozitës, mes institucioneve politike dhe publikut të gjerë qytetar. Opozita politike e vendit angazhohet të përdorë konsensusin me përgjegjësi, në gjykimin e drejtpërdrejtë të opinionit publik, të partnerëve ndërkombëtarë dhe vetë palës tjetër, në funksion të plotë të vizionit, qëllimeve dhe afateve të përbashkëta për këtë reformë, që duhet të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme. E përsëris sërish se jemi për konsensus dhe kërkojmë konsensus por para skenarit të shurdhësisë, arrogancës dhe aventurizmit eventual të qeverisë jemi gati për reagim. Sot, jemi këtu së bashku, për t’i drejtuar një thirrje mazhorancës Rama-Meta: Jo pseudo-reformë, jo njëanshmëri, jo pa qytetarët!”. Një tjetër shqetësim i përcjellë në këtë konventë nga të zgjedhurit vendorë ishte ndarja e fondeve publike njësive të qeverisjes vendore, ku 92% e fondeve janë akorduar për njësitë e drejtuara nga e majta dhe vetëm 8 % njësive të tjera. “Me një zë i themi sot, të ndalë përçarjen, diskriminim dhe poshtërimin e qytetarëve me projektin e tij për ndarjen e fondeve., të tërheqë dhe të rishikojë edhe një herë këtë projekt famëkeq, të reflektojë tek nevojat dhe kontributet, të sillet si kryeministër i gjithë vendit dhe jo si kryetar i partie të një pale, apo akoma më keq si kryetar i një klani” – deklaroi z. Basha.