Basha: Jo pazare politike e aleanca të kurdisura

438
Kryetari demokrat vlerëson ftesën e LSI-së për daljen nga kriza dhe këmbëngul në kërkesën për largimin e Edi Ramës nga qeveria
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vlerësoi ftesën e LSI-së për zgjidhjen e krizës politike në vend, ndërsa nënvizoi se nuk kërkon pazare politike dhe aleanca të kurdisura. “Me përgjegjësi të madhe qytetare, me përgjegjësi të madhe kombëtare, me përgjegjësi të madhe euroatlantike e shtruam këtë çështje për zgjidhje. Dhe kjo lëvizje ka hyrë tashmë në historinë kombëtare dhe në historinë e Ballkanit dhe të Evropës, si lëvizja më europiane dhe më euroatlantike, paqësore, demokratike por e vendosur, për të mos bërë asnjë milimetër prapa kur vjen fjala për standardin evropian dhe euroatlantik të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Duke folur nga çadra e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Basha tha se kemi parashtruar prej ditës së parë një zgjidhje për këtë krizë të thellë, produkt i republikës së vjetër dhe i politikës së inkriminuar që qeveris sot Shqipërinë. “Jo një zgjidhje radikale, jo një zgjidhje e ashpër, por një zgjidhje politike që iu ofron Shqipërisë dhe shqiptarëve një rrugë të paqtë drejt rivendosjes së demokracisë përmes garantimit të votës së lirë”, u shpreh kreu demokrat.

Ai nënvizoi, se “duke vendosur këto interesa parësore për Shqipërinë, një nga dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës ka bërë zgjedhjen e tij, dhe ne i themi; në se kjo zgjedhje është e sinqertë: Mirë se vjen tek Shqipëria e para, shqiptarët të parët! Nuk kemi kërkuar dhe as nuk kërkojmë pazare politike, aleanca të kurdisura në kurriz të interesit qytetar”. Sipas Bashës, “ky është rasti t’i drejtojmë një thirrje të drejtpërdrejtë njeriut që tashmë është identifikuar zyrtarisht edhe logjikisht si pengesa e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, njeriut i cili ka vënë dhe po vë pushtetin e tij dhe karrigen e tij para Shqipërisë, para demokracisë, para zgjedhjeve të lira dhe të ndershme: të reflektojë dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes”.

Kryetari demokrat tha se rruga e zgjidhjes do të vijë përmes një dialogu politik, një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke nxjerrë çdo person të inkriminuar nga çdo zyrë e shtetit, nga Parlamenti tek bashkitë dhe çdo institucion shtetëror. Për Bashën, qeveria e re “do të luftojë me vendosmëri kundër fushatës së kultivimit të drogës dhe kundër parave të pista të drogës dhe bandave që janë bërë gati t’i vërsulen votës së lirë të shqiptarëve”. Gjithashtu, sipas kreut të PD-së, ekzekutivi do të përgatisë kushtet evropiane, standardet evropiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku çdo shqiptare dhe çdo shqiptar do të mund të votojë i lirë dhe vota e çdo shqiptari do të numërohet pa u tjetërsuar.

“Kjo është ftesa dhe kërkesa. Ky është vendimi i marrë më 18 shkurt. Jo për pushtet në tavolinë, por për pushtetin e qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha, në përgjigje të ftesës së Metës për ofrimin e mandateve të LSI-së në qeveri si garanci për opozitën. “Asnjë pazar nuk mund dhe nuk do të luhet me fatin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe unë u jap fjalën njësoj si ditën e parë, sot e çdo ditë, se nuk do të pranoj, nuk do të kërkoj dhe nuk do lejoj asnjë pazar në kurriz të interesave të qytetarëve shqiptarë, në kurriz të interesave të popullit tim”, tha Basha, duke u shprehur se nuk do të ketë gjysmëarritje dhe gjysmëmarrëveshje.
Sigal