Basha: I falën CEZ-it çek 3 mld $ kur arbitrazhi ishte në anën tonë

469
Sigal

TIRANE- Fakti që qeveria shqiptare do t’i paguajë 95.5 milionë euro kompanisë çeke të energjisë CEZ-Group, duke shuar konfliktin e nisur nga ish-qeveria Berisha, për liderin aktual të Partisë Demokratike Lulzim Basha përbën krimin më të madh financiar në vend, pasi sipas tij është pala çeke ajo që i detyrohet Shqipërisë, plot 3 miliardë dollarë. Në një konferencë të mëngjesit të së enjtes, vetëm pak orë para nisjes së senacës parlamentare, lideri Basha jo vetëm që konfirmoi se opozita nuk do të jetë e pranishme në këtë seancë të fundit të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, por iu referua draft ligjit të marrëveshjes me CEZ, për t’iu drejtuar edhe deputetëve të mazhorancës me apelin për të mos e votuar atë. Sipas Bashës, raportet e një kompanie audituese, emrin e së cilës nuk e bëri të ditur, nxjerrin në pah se cështja në arbitrazh mes CEZ-Group dhe Shqipërisë, ishte e fituar nga qeveria shqiptare. “Raporte që disponohen nga opozita thuhet me fakte dhe shifra se Shqipërisë CEZ i detyrohet 3 miliardë dollarë. Kompania u shkatërruar me qëllim nga CEZ- Group, se paratë s’ishin marrë për investime. Vlera e kompanisë ishte zeruar. Paratë e investimeve ishin kthyer në parajsa fiskale nga kompanitë fantazmë të kontraktuara nga cez. Heqja e licencës nga ere ishte e drejtë. Paditë e CEZ-it ishin të pajustifikuara. Qeveria i mban të fshehura këto raporte. Dhe keqpërdor emrin e avokatit ndërkombëtar. CEZ i detyrohet Shqipërisë 3 miliardë dollarë, vlera që i falet. Ka fshehur kallëzimet penale ndaj stafit ekzekutiv të CEZ. Qeveria i fal CEZ mbi 500 milion euro fatura. Krimi i dytë i kësaj marrëveshje ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë, duke ia faturuar këtë zgjedhje taksapaguesve shqiptarë.  Këto janë faktet e fshehura ndaj opinionit publik dhe ndaj parlamentarëve. Dua t’iu bëjë një thirrje deputetëve të Kuvendit: ju keni një detyrim madhor të mos bëheni pjesë në këtë vjedhje, në këtë krim që nëse realizohet iu bën bashkëpërgjegjës. Është 600 herë më e madhe se vjedhja në Bankën e Shqipërisë. Asgjë nuk iu detyron ta bëni këtë, kërkoni informacion, kërkoni përgjegjësi. Ratifikimi i marrëveshjes përbën një vepër penale. Opozita është e vendosur ta nxjerr në pak këtë vepër mafioze. Ky është megaskandal financiar. Përpsëris thirrjen ndaj deputetëve të shumicës, mos e votoni këtë marrëveshje. Opozita do të vazhdojë me të gjitha mjete të ndalojë këtë skandal”, tha Basha në një konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike.