Basha: Fuqia blerëse në kuotat më të ulëta, shkak varfëria e papunësia

486
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar sot se të dhënat e më të fundit zyrtare të INSTAT për 6 mujorin e parë të këtij viti tregojnë se ekonomia është zhytur edhe më shumë në krizë. Sipas Bashës, konsumi ka rënë e gjithashtu edhe prodhimi në vend ka rënë.
“Deficiti tregtar rezulton të jetë 14.4% me i lartë sesa në qershor 2015. Eksportet 6.4% me të ulëta se një vit më parë. Importet në qershor 2016, rezultojne 1.6% me të ulëta krahasuar me muajin paraardhës. Ndërsa në nivel 6-mujor, rezulton se eksportet janë 7.8% më të ulëta sesa eksportet janar-qershor 2015.  Këto janë të dhënat që tregojnë luftën e biznesit për të prodhuar, për të ekzistuar madje, nën tutelën armiqësore e të dhunshme të një qeverie që vetem rrit taksat, shton gjobat, ngren çmimet e e energjisë dhe naftës, dhe nuk kryen asnjë punë, asnjë shërbim”, është shprehur Basha. Sipas tij, shkak për këtë situatë është varfëria, papunësia si dhe taksat e larta të cilat kanë çuar në mbylljen e bizneseve. 

“Taksat e larta, korrupsioni, dhe armiqësia ndaj punës dhe prodhimit mungesa e besimit dhe i kanë marrë frymën biznesit, duke e detyruar atë të mbyllet ose të shkurtojë vendet e punës, duke sjellë këto rezultate. Fuqia blerëse është në kuotat më të ulëta historike, për shkak të varfërisë, papunësisë e mungesës së të ardhurave. Kjo është vepra e vërtetë e keqqeverisjes së Edi Ramës prandaj ai rreket me çdo çmim ta heqë debatin nga hallet e vërteta të njerëzve me llomotitjet e konfliktit politik”, ka deklaruar Basha.
Sigal