Basha flet nga Uashingtoni: Zgjedhje me Ramën nuk do ketë, PD do e ndalë maskaradën

480
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur sot nga Uashingtoni ku ndodhet për një vizitë prej disa ditësh. Nga studio e Zërit të Amerikës, kreu i PD-së ka deklaruar edhe njëherë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do ketë.
Ndonëse gazetari i VOA-s, disa herë e pyeti kreun e PD-së a do të bojkotonte opozita nëse do të kishte zgjedhje, siç ka deklaruar kryeministri Edi Rama, por Basha ka këmbëngulur që zgjedhje nuk do të ketë. Ai gjithashtu tha se ka marrë mbështetje nga bashkëpunëtorë të administratës “Trump”.
“Jam i ftuar nga drejtuesit e kongresit dhe senatit. Kam takuar një numër të madh kongresmenësh dhe senatorësh dhe bashkëpunëtorë të administratës së Trump ku kemi diskutuar për gjendjen në Shqipëri, krimin, influencën e parave të krimit dhe drogës edhe më gjerë. Dua të ndaj lajmin e mirë, kënaqësi e jashtëzakonshme që kam marrë nga të gjithë bashkëbiseduesit mbështetje për kauzën e opozitës dhe betejën e shqiptarëve për standarde në zgjedhje”, deklaroi Basha.
I pyetur nëse opozita pret zgjidhje nga të huaj, Basha tha jo por se këto takime bëhen për informim siç duhet të aleatëve.
“Nuk presim zgjidhje nga të huajt. Së pari, informimi siç duhet i aleatëve tanë sepse për fat të keq me investimin e parave të narkomafias është bërë dezinformimi i qytetarëve.
Këtu në Uashington dhe në Europë e ardhmja e Shqipërisë shihet në Europë. Pengesa kryesore është kriminalizmi total i shtetit”, tha kreu i PD.
Ai tha se nëse do ketë zgjedhje këtë e vendosin qytetarët dhe jo kryeministri Edi Rama.
“Nuk do ketë zgjedhje pa opozitën. E përcaktojnë qytetarët shqiptarë. Zgjedhje me krimin, me drogën dhe me Edi Ramën kryeministër nuk do ketë. Ka rëndësi që e them këtë nga Uashingtoni. Zgjedhje nuk do të ketë. Nëse ka përpjekje për zgjedhje fasadë, PD do të ndalë një maskaradë të tillë dhe do iu japë shqiptarëve zgjedhje të lira. Nuk do ketë bojkot sepse nuk do ketë zgjedhje”, tha Basha.
Nga ana tjetër ai theksoi se është koha që dhe Rama të çlirohet nga klanet e mafias.
“Ne kemi ardhur me kërkesa të diktuara nga koha. Është një rrugë e ndershme dhe për zoti Rama që të çlirohet nga klanet e mafias. Të çlirojë PS dhe është oportunitet. Në bisedat e mia me kancelaren Merkel, Hahn, që më telefonuan për të përgëzuar për reformën, unë e kam ngritur çështjen për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kam marrë miratimin e tyre. Mediat e kapura, që i bjenë tam-tameve të qeverisë e kanë zhdukur këtë çështje. Por PD nuk ka pasur angazhim më të madh se zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Aksioni ynë politik vjen si përshkallëzim pasi është shteruar çdo mundësi tjetër. Ne kemi bojkotuar parlamentin. Në 22 korrik PD fitoi këtë betejë. Reforma në drejtësi zhbllokohet përmes paktit për qeverisje dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk dalim mbi ligjet”, theksoi ai.
Sigal