Basha flet në çadër për vizitën në SHBA: Tre mesazhet që mora nga bashkëpunëtorët e Trump

413
Kreu i PD-së, Lulzim Basha është kthyer sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka përcjellë në çadrën e mbushur me protestues mesazhet kryesore nga kjo vizitë. Ai tha se ka marrë mbështetjen e bashkëpunëtorëve të administratës së presidentit Donald Trump për qëndresën e qytetarëve shqiptarë.
“Dua t’iu tregoj mesazhet kryesore të një pritje të jashtëzakonshme që më është ofruar si ushtar i kauzës së madhe popullore shqiptare për zgjedhje të lira e të ndershme. Çdokush po pret lajmet nga zemra e demokracisë, nga SHBA-të. Përgëzimet vijnë për gjithsecilin prej jush për qëndresën historike që do të rezultojë me fitoren e demokracisë. Në takim me përfaqësuesit më të lartë të partisë republikane të senatit dhe kongresit dhe bashkëpunëtorëve të Trump në Shtëpinë e Bardhë mesazhi i parë është ai i përgëzimit të qytetarëve shqiptarë për këtë qëndresë të jashtëzakonshme”, tha kreu i PD.

Basha tha se mesazhi i dytë është falënderimi për protestuesit që ngrihen për të drejtën e tyre ndërsa liria kërcënohet nga krimi dhe paratë e pista.

“Mesazhi i dytë që buron nga bindja e tyre për kuptimin e kësaj lufte, është falënderimi për ju, jo thjesht si njerëz që ngriheni për të drejtën tuaj por si një armate që lufton për lirinë këtu në këtë front ku ajo është e kërcënuar nga krimi i organizuar dhe paratë e pista. Falënderime për ju sepse beteja për liri luftohet kudo ku ajo është e kërcënuar”, u shpreh Basha.

Ai njoftoi protestuesit dhe demokratët se PD do të ketë mbështetjen e ekspertizës së ekipit të presidentit amerikan Donald Trump.

“Mesazhi i tretë është ai i mbështetjes totale të miqve tanë. Mbështetjes politike parimore morale dhe të gjithanshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë nga ekipi fitues i presidentit Trump. PD do të ketë mbështetjen e ekspertizës së ekipit që ditoi zgjedhjet në SHBA”, tha kreu i PD.

Basha u shpreh më tej se “Beteja jonë ka hyrë në fazë vendimtare ku vendosmëria dhe kuraja për kauzën do të përcaktojnë të vetmin përfundim të kësaj beteje: largimin e Edi Ramës dhe një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Parlamenti i Shqipërisë do të jetë i pastër nga krimi kur shqiptarët të zgjedhin të lirë në zgjedhje të ndershme. Këtu jemi mbledhur që përmes republikës së re të ngjallim shpresën për nesër. Por sot jemi edhe më të përgatitur. Jemi në këtë shesh sepse kemi lidhur besën me çdo shqiptar se nuk do të pranojmë asgjë më pak se standardi europian për demokracinë dhe lirinë e tyre. Në këtë nivel përfaqësimi, përmes këtij mekanizmi do teë synohet pastërtia e motiveve, çiltërsia e brezit të ri që janë dhe drita e demokracisë se standardit europian të republikës së re”, deklaroi lideri i opozitës.

Basha njoftoi edhe për kërkesën e tij që PD në listën e deputetëve të ketë 1/3 të rinj nën moshën 35 vjeç.

“Kam kërkuar dhe do të insistoj që të paktën PD të vendosë një standard duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme duke i propozuar shqiptarëve 1/3 e listës së deputetëve nga rinia nën moshën 35 vjeç. E kam thënë më 18 shkurt dhe nuk do lodhem ta them deri në fitoren e kësaj kauze. Asgjë nuk është më si më parë dhe asnjë nuk do jetë si më parë kur republika e re hedh themelet në këtë shesh të lirisë”, deklaroi kreu i PD.
Sigal