Basha: “Edhe në çerdhet e Tiranës, standarde të BE-së”

528
Sigal

Rreth 100 fëmijëve të Njësisë Bashkiake nr.1, nga dje do u ofrohet një shërbim më cilësor dhe në kushte optimale në çerdhen nr.50. Me një investim prej 15.6 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin tërësor të saj. Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm në përfundimin e punimeve në këtë çerdhe ka theksuar se, kjo cilësi e munguar prej vitesh në qytetin e Tiranës do të jetë standardi nga, i cili Bashkia e Tiranës nuk do të ndahet në riparimin, rehabilitimin apo ndërtimin e çerdheve të reja.  “Jemi rikthyer tek çerdhja nr.50 e kryeqytetit, sepse kanë përfunduar punimet, të cilat janë kryer me cilësi shumë të lartë dhe bëjnë të mundur që sot çerdhja nga 60, të mund t’u shërbejë 100 fëmijëve. Kushtet janë përmirësuar rrënjësisht, si ato higjieno-sanitare, por edhe kushtet e tjera të shërbimit që kanë të bëjnë me pajisjet, me kuzhinën dhe ngrohjen, e cila ka filluar të funksionojë me peleta, duke mundësuar edhe uljen e kostos, por edhe furnizimin gjatë gjithë sezonit të dimrit, sikundër po veprohet edhe në të gjithë çerdhet, kopshtet dhe shkollat e tjera të kryeqytetit.  Dua të garantoj jo vetëm prindërit e këtyre fëmijëve dhe qindra e mijëra fëmijëve të tjerë që do të vazhdojnë të shërbehen për vite me radhë në këtë çerdhe, por edhe gjithë çerdheve të kryeqytetit, se kjo cilësi e munguar prej vitesh në qytetin e Tiranës do të jetë standardi nga i cili Bashkia e Tiranës nuk do të ndahet në riparimin, rehabilitimin apo ndërtimin e çerdheve të reja, për të plotësuar kushtet e gjithë vogëlushëve në qytetin tonë”, – u shpreh z.Basha. Çerdhes nr.50 iu bashkëngjit një shtesë e pjesshme kati, duke shtuar hapësirën dhe rritur mundësinë e frekuentimit nga një numër më i madh fëmijësh. Kryebashkiaku Basha ka theksuar zotimin se, Tirana do të fillojë të hyjë në BE, duke nisur nga realizimi i standardeve në çerdhet e saj. “Në bashkëpunim me Bankën Botërore, duke parë këtë përpjekje, e cila është vlerësuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, ne do të hedhim edhe hapa të tjerë në drejtim të rikonstruktimit apo ndërtimit të çerdheve të reja si dhe përdorimit të energjisë së rinovueshme, konkretisht të paneleve diellore, për të bërë të mundur që kostoja e ngrohjes apo ngrohjes së ujit në çerdhe të ulet dhe që në asnjë çerdhe të mos  mungojë standardi evropian, standard, i cili mund të them me kënaqësi se po përmbushet pak nga pak, duke filluar nga çerdhja 50 dhe do të përmbushet në të gjithë qytetin.  Zotimi ynë është që në BE, Tirana të fillojë të hyjë duke nisur nga çerdhet e saj”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.