Basha: Duke ndryshuar PD-në, do të ndryshojmë politikën dhe vendin

499
Sigal

“Duke ndryshuar PD-në, do të ndryshojmë politikën dhe vendin. Më pak pushtet për kryetarët e politikanët, më shumë për qytetarët”, iu drejtua dje kryetari i PD-së  Lulzim Basha, anëtarëve të kësaj force politike në Memaliaj. Duke u kërkuar të jenë në krye të aksionit për hapjen e partisë dhe veçanërisht qëndrimin me njerëzit dhe pranë tyre, Basha tha se beteja në të cilën thirremi dhe i thërrasim nuk është thjesht betejë për të përmbysur një qeveri të korruptuar, por është betejë për t’u kthyer pushtetin njerëzve duke bërë qeverisje transparente dhe të përgjegjshme që lekët e taksapaguesve të shkojnë tek taksapaguesit. Basha shpjegoi se PD ka zgjidhje konkrete dhe realiste për gjendjen e rëndë që po kalon vendi dhe qytetarët. “Familjet në nevojë ekonomike, 200 kilovatët e parë do t’i kenë falas. Faturën e ujit për konsumin e tyre jetik do ta kenë falas. Se nuk do të ketë nën qeverisjen tonë as palma, as luks qeveritar të shfrenuar që të ketë familje të cilat nuk janë më në errësirë dhe kanë bukën të garantuar”, tha lideri demokrat. Kryetari i Partisë Demokratike u kërkoi drejtuesve dhe anëtarëve të shkojnë derë më derë, për të identifikuar hallet konkrete të njerëzve, çdokënd që është në varfëri, i papunë dhe i goditur nga fatkeqësitë e natyrës dhe abuzimet e qeverisë.