Basha dhe Olldashi: Do të mbrojmë administratën nga agresioni politik

478
Sigal

Lulzim Basha: “Rama do të japë llogari ligjore për abuzimet”

Kandidati për kreun e PD-së,  Lulzim Basha shpalosi platformën e tij para demokratëve të Beratit e Kuçovës. Ai tha se PD-ja do të bëjë një opozitë të fortë ndaj maxhoracnës së re dhe premtimeve të saj të cilat i konsideroi piramidale. Sipas Lulzim Bashës, Edi Rama do të japë llogari ligjore për çdo rast abuzivizmi. “Demokratët e kanë kuptuar shumë mirë, tani kuptoje edhe ti shumë mirë, se për çdo person mbi të cilin do të godasë abuzivizmi yt, për të cilin je i famshëm në Tiranë do të japësh llogari ligjore, financiare dhe politike para opinionit publik. Çdo orë e çdo minutë, demokratët do i kesh mbi kokë, për 300 mijë vende pune që ke premtuar për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për shëndetësinë falas për çdo qytetar dhe të gjithë premtimet e tua piramidale që e dinë që sot se s’ke ndërmend t’i mbash dhe ky do të jetë momenti, vëllezër e motra kur ne nuk do të jemi vetëm Partia Demokratike në opozitë, por Partia Demokratike në qendër të një fronti të gjerë opozitar, në fakt në qendër të maxhorancës morale të shqiptarëve”,- tha Basha. Duke ju referuar edhe angazhimeve të tij në qeverisjen e demokratëve, zoti Basha tha se, nëse zgjidhet kryetar do të vlerësoj kontributin e secilit anëtar dhe  dhënien e shanseve gjithsecilit për të ecur përpara. “Kryeministri Berisha më ngarkoi misionin e veçantë të rrugës së Kombit dhe përkundër luftës së jashtëzakonshme për ta penguar, damkosur dhe jo vetëm nga brenda këtë projekt madhështor, ia dolëm me sukses të përmbushim misionin. Më ngarkuat në një moment të veçantë për historinë e Shqipërisë, detyrën e kryediplomatit, në momentin  e përpjekjes sonë për integrim euroatlantik, dhashë kontributin tim, përmbusha me nder misionin që më ngarkuat, më çuat në Ministrinë e Brendshme, ku duhej të plotësonim 120 kritere për premtimin tonë madhor të fushatës  së 2009, heqjes së vizave për shqiptarët  dhe shumë kush thoshte se nuk ia dilni dot, iu përvesha punës dhe bëmë realitet premtimin tonë, hoqëm vizat dhe u dhamë dinjitetin shqiptarëve”,- tha Basha.

  Sokol Olldashi: “Mbrojtje për administratën nga agresioni politik i Ramës”

Sokol Olldashi deklaroi nga Gjirokastra se PD-ja do të hapë zyrat e konsulencës juridike për të mbrojtur administratën publike nga agresioni politik i Edi Ramës. Kandidati për kreun e PD-së tha administrata është një vlerë, është një aset kombëtar që nuk duhet lejuar të masakrohet. “Thirrjet që po bën Edi Rama për gjoja aplikime CV-sh në PS, nuk janë asgjë tjetër, veçse paralajmërimi i parë për masakrën administrative që ata kanë ndërmend të bëjnë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Përpara se socialisti i parë, të hyjë në zyrën më të parë të shtetit. Ne duhet të kemi ngritur në të gjitha degët e Partisë Demokratike, zyrat e konsulencës për të gjithë administratën, në mënyrë që ta mbrojmë atë, t’i ofrojmë ndihmë juridike dhe ta shpëtojmë, jo për t’i përdorur si top politik”,- tha Olldashi.

Në Tepelenë: Aksioni opozitar është i paekuivok

Në Tepelenë ai tha se aksioni opozitar duhet të jetë i paekuivok për të rrëzuar në përplasjen e parë elektorale, maxhorancën e inkriminuar të Edi Ramës. “Edi Rama është i njëjti prototip politik qe ka prodhuar korrupsion, abuzivizëm, klientelë politike dhe kërcënimi që iu bë Njazi Kosovrastit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nxori në sipërfaqe fenomenin e ri të PS-së, atë që ne  kemi paralajmëruar gjatë gjithë fushatës që brenda listës së Partisë Socialiste janë të paktën 30 njerëz me precedent të fortë kriminalë. Pra ka një fenomen të kriminalizimit të Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar”,- tha Olldashi.

Në Përmet “edhe biznesi është i kërcënuar”

“Ne duhet të marrim në mbrojtje biznesin, i cili shumë shpejt do të gjendet në mes dy agresioneve: nën agresion e taksës progresive të Edi Ramës dhe nën agresionin e bllokut të Ilir Metës, sepse pasi shpenzoi në fushatë, ai do ti nxjerrë prapë ato para. Ne duhet të bëhemi përfaqësues të të gjithë korpusit opozitar, i cili do të gjejë tek ne mbrojtjen, shpresën dhe aleatin e vet natyral”,- tha Olldashi.

Në Memaliaj , Sokol Olldashi duke ju referuar  procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri, vlerësoi votimin e  tij nga anëtarësia,  një standard i  vendosur nga lideri historik i demokratëve, Sali Berisha.

   Berisha: “Fshesa” e partisë do pastrojë administratën e sektorin privat

Kryeministri në largim, Sali Berisha reagoi dje përmes rrjetit social “Facebook” për nismën e Kryetarit të PS-së Edi Rama për aplikimet online për punësim. Berisha akuzon liderin e PS-së se ka hapur tenderin online për “fshesën” ndaj administratës dhe sektorit privat. “Të dashur miq, në selinë mavi revansh i paparë. Pas hapjes së tenderit online për fshesën ndaj administratës, z.Rama njofton se, konkurset për vendet e punës në administratë nuk kanë qenë të hapura (paçka se botoheshin në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij), prandaj për t’i hapur ato ai ka vendosur që çdo njeri për të marrë pjesë në konkurse për punësim në administratë duhet më parë të aplikojë online dhe të presë biletën në selinë e PS. Por siç thotë fjala e urtë oreksi vjen duke ngrenë z.Rama njoftoi se, “fshesa” e partisë do të fshijë (pastrojë) edhe sektorin privat, i cili së shpejti do të “ndihmohet” me aplikantët e “virtytshëm” online të selisë së PS. Kjo është lule. Prisni tenderin e miellit. Aty deti bëhet jo kos, por flori. Tepron edhe për ndonjë mik të çmuar që çmendet pas gjahut dhe trafiqeve! Ndryshim!! Me vrap drejt të shkuarës! Sb”- shkruan Berisha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.