Basha dhe Kryemadhi: Me Ramën nuk ka integrim të Shqipërisë

559
Kryeministri u bën thirrje PD-së dhe PS-së për bashkëpunim për të mirën e hapjes së negociatave
Një ditë më vonë, pasi Komisionit Evropian rekomandon që BE-ja të hapë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, mazhoranca dhe opozita nga Kuvendi ngritën në kufi të kuqe tensionet politike, duke dëshmuar, se nuk do të ketë as mirëkuptim, as bashkëpunim dhe as paqe politike në Shqipëri, as në periudhën deri në qershor, kur Këshilli Ekzekutiv i Bashkimit Evropian do të marrë vendimin përfundimtar të hapjes ose jo të negociatave me Shqipërinë për anëtarësim.

Kryeministri Rama, përsëriti edhe një herë se qeveria i ka realizuar të gjitha detyrat e integrimit që i ka kushtëzuar BE-ja dhe, njëkohësisht, i bëri thirrje opozitës që të mos çojë në zyrat e Evropës “baltën” e akuzave ndaj qeverisë. Reagimi i kryetarit të PD-së, Basha dhe i kryetares së LSI-së Kryemadhi ndaj kryeministrit ishte shumë i ashpër, duke i kujtuar kryeministrit Rama, se ai po kontrollon gjithë pushtetet në Shqipëri dhe Brukseli kërkon dorëheqjen e tij, si kusht për hapjen e negociatave. 

Rama i jep një mesazh: Mos çoni baltën e politikës në zyrat e Evropës
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të mos lobojnë kundër çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë u është drejtuar deputetëve opozitarë, të cilët braktisën seancën, duke u kërkuar që “të mos çojnë baltën e politikës në zyrat evropiane ku gjykohet vendi ynë”. Rama tha se është me rëndësi që në këtë moment, shqiptarët të flasin jashtë vendit në të mirë të gjithë shqiptarëve dhe kombit, në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim. “Rekomandimi i KE është dokumenti që provon se i kemi bërë një për një të gjitha detyrat. Vendimi i vendeve anëtare është momenti kur edhe politikisht Shqipëria duhet të mbështetet. Natyrisht që drejt atij momenti, jo të gjithë, jo gjithkund janë dakord, jo se domosdoshmërish kanë një problem me Shqipërinë. Por sot ka një dinamikë që flet qartë për rritje dhe kërcënim të projektit të Evropës së bashkuar nga individë dhe forca që duan mbylljen dhe jo zgjerimin. Në këtë aspekt është e papranueshme që, qoftë edhe një shqiptar që ka mundësi të flasë me individë në vendet e BE, t’i bashkohet këtyre forcave. Kjo përgjegjësi është shumë e madhe për ardhmërinë e vendit, dhe është shumë i madh interesi i vendit në këtë moment për të mos përsëritur se ne kërkojmë dhe jemi të gatshëm për gjithçka që na takohet dhe duhet ta bëjmë. Opozita në rastin më të mirë të mos flasë kundër Shqipërisë, duke eksportuar nëpër kryeqytete të vendeve anëtare baltën e politikës së përditshme, dhe në rastin më ideal të bashkohet me ne në këtë përpjekje”, u shpreh kryeministri Rama.
Monika Kryemadhi: Kushti numër një i Brukselit – Largimi i Edi Ramës
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi parlamentare komentoi lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët, rekomandimin e komisionit Europian për Këshillin, që Shqipërisë t’i hapen negociatat me BE-në. Sipas saj, ajo që mbetet iluzion është integrimi real në BE, prandaj shtoi se duhet plotësuar kushti kryesor: Largimi i Edi Ramës. “Reforma në drejtësi dhe në administratë mbeten kushte kryesore. Arritje nuk mund të quhet dorëheqja e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kanabizimi dhe kthimi i vendit në një qendër të trafikut të drogës është e gjitha përgjegjësi e kësaj qeveria. Shqiptarët janë koshientë që janë më të varfër se një vit më parë, bizneset po falimentojnë dhe për këtë përgjegjësi qeveria mbyll veshët. Po ta lexosh me vëmendje raportin është shumë e qartë, Brukseli ka vendosur 7 kushte. Kushti i qartë nga BE është shumë qartë dhe shkruhet: Të largohet Edi Rama. Nëse bëjmë këtë është shumë mirë për të gjithë”,-tha ajo. Nga foltorja e Parlamentit Kryemadhi përsëriti edhe njëherë thirrjen për lirimin e 11 kuksianëve të arrestuar në protestën e rrugës së Kombit. “U bëj thirrje të urdhëroni falangat tuaja në prokurori dhe gjykatë të lirojnë kuksianët. Ne kemi mbështetjen e shqiptarëve. 11 protestues të varfër po mbahen padrejtësisht në burg”, tha Kryemadhi.
Basha replikon Ramën: Po kontrollon gjithë pushtetet
Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PD-së Basha tha se rruga evropiane e Shqipërisë është e vetmja rrugë për të ngritur institucione të besueshme dhe demokratike. “Edhe kur ishim në zgjedhat komuniste, shqiptarët gjenin një dritare, një shteg për të parë drejt Evropës, drejt Perëndimit. Por në vitet ’90, e 2000 shqiptarët e kanë mbajtur frymën në Itali, Francë, e në gjithë Evropën, për të gjetur dije dhe mundësi. Kurdo, aspirata e shqiptarëve ka qenë perëndimi. Pavarësisht fesë, bindjeve, që i ndajnë në përditshmëri, kanë një aspiratë të përbashkët. Ata janë dhe duan të jenë evropianë. Ky rekomandim mbi të gjitha tregon se jo vetëm ne aspirojmë Evropën, por edhe se Evropa mbetet e vendosur të na bëjë pjesë të saj. Evropa e bashkuar po tregon se është e vërtetë në vlerat e saj, dhe e vendosur në veprimet e saj, që ta bashkojë gjithë Evropën rreth këtyre vlerave. Në këto kushte, me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, rruga Evropiane është më e domosdoshme se kurrë për shqiptarët, pasi është e vetmja rrugë për të ngritur institucione të besueshme dhe demokratike. Rruga evropiane është e vetmja mundësi që kemi për të ndarë politikën nga krimi, dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga droga. Kemi kërkuar vazhdimisht hapjen e negociatave, dhe për ne sot ky rekomandim është shpëtim, nga e keqja që na shpreh nga kjo qeverisje. Tani është momenti për vetëdijesim dhe reflektim të të gjithë shqiptarëve për situatën ku jemi, dhe hapat që duhet të marrim për çeljen e negociatave. Edhe qeveritarët duhet ta mendojnë mirë se çfarë duhet të bëjnë që ky rekomandim të mos mbetet vetëm në letër, si para 2 vitesh. Në shumë vende të BE ndihen shqetësime serioze dhe ka pesimizëm për përmbushjen e detyrimeve nga Shqipëria në muajt e ardhshëm. Qeverisja si Evropianë është zgjidhja e vetme, gënjeshtra dhe propaganda nuk kanë për të na çuar gjëkundi. Rama sot kontrollon të gjitha pushtetet në vend. Disa ditë më parë Macron tha se në disa vende në Evropë ka qeverisje autokratike. Dhe kjo gjë duhet shmangur. Më shqetësues nga gjithçka është vënia në kontroll prej Ramës e institucionit të Prokurorisë. Kjo duhet ndalur. Ky përqendrim i pushtetit duhet zhbërë. Duhet të kthejmë shpresën se në Shqipëri ka të ardhme”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Sigal