Basha del nga Prokuroria: Të tjera skandale të Edi Ramës do të dalin në dritë

488
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përfunduar dëshimë në Prokurorinë e Tiranës, ku u paraqit në orën 10:30 minuta.

Duke folur për mediat Basha u shpreh se dosja nuk ka asnjë provë të re që nga 25 maji.

“Prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, ndryshe apo shtesë që nga 25 maji kur unë isha këtu për herë të fundit. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse kjo akuzë është bërë në zyrën e Ramës dhe për llogari të tij. Kjo akuzë nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë transaksion parash, nuk ka asnjë rus, nuk ka asnjë provë.

Kjo është një dosje e përgatitur vetëm që ju të mos merreni me skandalet që i kanë plasur Edi Ramës dhe për të hequr vëmendjen nga skandalet që do të plasin nesër nga Bild.

Kam qenë 5 herë këtu, për Tahirin, Xhafën, Rrahman Rrajës, për Vangjush Dakos dhe kjo është hera e pestë. Sa herë që i plasin skandalet Edi Ramës, këta nxjerrin çështje nga sirtaret. Jam i bindur që ky mision i Edi Ramës do të dështojë.

Unë nuk jam i frikësuar”, deklaroi kreu i opozitës, Lulzim Basha, për gazetarët.

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË PROKURORINË E TIRANËS

Lulzim Basha: Arsyeja e vetme pse unë jam sot para jush është që të shërbej si shpërqendrim për ju, dhe për qytetarët, për skandalet që kanë plasur nga Bild-i dhe ato që pritet, që janë njoftuar se do të plasin nesër. Kjo është arsyeja e vetme pse sot jam këtu, para jush.  Prokuroria nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë provë ndryshe apo shtesë, që nga 25 maji, kur unë isha këtu për herë të fundit. Zyrtarisht më komunikuan se nuk ka asgjë të re që nga 25 maji. Kjo, për një arsye të thjeshtë, sepse kjo akuzë është montuar në zyrën e Edi Ramës, për llogari të Edi Ramës.

Pyetje: U njohët me akuzën?

Lulzim Basha: U njoha me akuzën që s’është akuzë, sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, s’ka asnjë dokument të falsifikuar në dosje, s’ka asnjë transaksion për pastrim parash, nuk ka asnjë rus të vetëm, nuk ka asgjë, pra është një akuzë e formuluar me një qendrim, t’ju shpërqendrojnë ju dhe qytetarët nga skandalet që kanë plasur, të Bild-it, dhe nga skandalet që do të plasin nesër nga Bild-i dhe që demonstrojnë se ku e ka katandisur shtetin Edi Rama. Dosjen ju thashë të ma vënë në dispozicion sot, se s’e kishin gati. Nuk e kishin gati dosjen, se s’kanë dosje. Pra, është një çështje e montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës. Nuk kanë asnjë provë, asnjë fakt, nuk ka asgjë ndryshe nga 25 Marsi kur kam qenë herën e fundit këtu. A ka diçka ndryshe?

Është BILD-i. Kam qenë pesë herë këtu. Herën e parë kam qenë kur plasi skandali i Sajmir Tahirit, herën e dytë më thirrën kur plasi skandali i Geron Xhafës, herën e tretë më thirrën kur plasi skandali i Rrahman Rrahjes dhe i Taulant Ballës, herën e katërt më thirrën kur plasi skandali i Vangjush Dakos, dhe kjo është hera e pestë. Në mos gabohem edhe për skandalin e “Toyota Yaris”. Sa herë që plasin skandalet e kësaj qeverie të lidhur me krimin këta riaktivizojnë një dosje ku nuk ka asnjë fakt, asnjë provë. Për një arsye të thjeshtë, është montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës. Kështu që të dashur gazetarë ju uroj raportim të mbarë.

Pyetje: Pse pranuat të paraqiteni sot dhe jo ditën që ju thirrën?

Lulzim Basha: Për arsyen e thjeshtë sepse atë ditë ata nuk zbatuan ligjin, ndërsa tani kishin një plan, të njëjtin plan që kishin nga fillimi, që unë të shërbeja si shpërqëndrim për skandalet e publikuara dhe ato që pritet të publikohen nga BILD-i. Jam këtu për t’ju shpërqëndruar ju dhe qytetarët nga skandalet e BILD-it, por jam i bindur që ky mision do të dështojë me sukses të plotë. Për këtë pritet të shohim 24 orët e ardhshme.

Pyetje: Z. Basha keni frikë se mos drejtësia do të veprojë edhe mbi ju?

Lulzim Basha: Këtu ku jemi, ka plotë njerëz të frikësuar. Disa prej tyre sapo i takova, por unë nuk jam njëri prej tyre. Falemnderit, mirupafshim, punë të mbarë!