Basha: Debat me Ramën në Sheshin e Flamurit

27
Kreu demokrat përsërit ftesën edhe nga Vlora, ku kryeministri është deputet: Të bëjmë bilancin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka sfiduar për të disatën herë kryeministrin Edi Rama për të dalë në një debat televiziv, duke propozuar që kjo përballje të bëhet në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Basha ka hapur fushatën e tij elektorale në qytetin ku Rama është deputet dhe kandidat për deputet më 25 qershor, ndërsa përsëriti ftesën e tij për debat. “Fushata hyn në ditën e 5 apo 6. Keni dëgjuar ditë për ditë lloj-lloj fabulash nga Edi Rama. Edhe sot merrej me çdo gjë. Me qen e me mace, me yje, me Gridën, me Saliun, ekipin tonë fitues e ka merak të veçantë. Me një gjë nuk po merret, dhe kjo është ndër pyetjet më të rëndësishme. Ku i ke 300 mijë vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku i ke çmimet e ulëta? Vjen tani në fushatë dhe mendon se do t’ia hedhë pa këto premtime. Do ta lini ta bëjë këtë fushatë pa ju treguar, pse premtoi punësim në këtë qytet dhe mbylli vende pune?” u shpreh Basha. Ai këmbënguli te ftesa për debat televiziv. “Eja të dalim para shqiptarëve, ti bilancin tënd, unë bilancin tim. Le të na gjykojë Shqipëria. Le ta bëjmë debatin e parë këtu, meqë je deputet i Vlorës, këtu në këtë shesh. Në Sheshin e Flamurit të ftoj, ta bëjmë debatin e parë televiziv elektoral. Ka 5 ditë që e ftoj në debat dhe as nuk ndihet fare. Po kthe një përgjigje, mor burrë i dheut, mos ki frikë! Unë e di pse ke frikë, sepse s’ke asnjë mënyrë për t’iu shpjeguar para shqiptarëve për ato që the dhe nuk bëre”, u shpreh kryedemokrati nga Vlora.

Gjithashtu, Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Sarandë. Basha tha se nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë, por një ekonomi e fortë do të thotë, qytetarë me mundësi për punë, dhe mirëqenie. “Fare i ri pata mundësinë të studioj në një nga vendet më të përparuara e të zhvilluara demokratike, me ekonomi të fortë, në Holandë. Por kudo ku kam qenë, kam parë se një shtet demokratik me ekonomi të fortë e bën qytetari i fortë, sipërmarrësi i fortë, sindikatat e forta, fermeri i fortë, dhe jo kryeministri i fortë. Kryeministri krekoset, qytetarët zvarriten. Ky nuk është shtet i fortë. Ky është shtet i falimentuar, shtet i shkatërruar. Nuk ka politikan të përgjegjshëm që pretendon, se po bën shtet kur shqiptarët po varfërohen, kur çmimet rriten ditë për ditë, kur papunësia rritet, kur shëndetësia është në pikë të hallit”, u shpreh Basha. Kryetari i opozitës tha, se e vërteta është ndryshe nga sa thotë Edi Rama. “Tha se ekonomia po rritet, por populli nuk e kupton. E vërteta është krejt ndryshe. Edi Rama, ekonomia është katastrofë, je ti që nuk e kupton, se ke humbur çdo lidhje me realitetin e njerëzve të thjeshtë. Je futur në moçal dhe bashkë me një tufë njerëzish, hani e pini në moçal dhe i keni zënë tokën e bukës një populli të tërë. Ndaj 25 Qershori është dita për ta tharë moçalin e për të larguar njëherë e mirë këta grabitqarë”, u shpreh kryedemokrati. Sipas tij, demokracia nuk mund të vazhdojë të jetë moçali ku fryhen e majmen një grusht politikanësh.