Basha: Buxhetit i mungojnë 134 milionë dollarë; PD, luftë krimit dhe korrupsionit

440
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi të mërkurën një komunikim me mediat, ku theksoi qendrimet e partisë që ai drejton lidhur me ecurinë ekonomike të vendit, taksat, si dhe problematika të tjera, që sipas Bashës, shqetësojnë vendin dhe bëjnë që buxhetit të shtetit t’i mungojnë 134 milionë dollarë. Sipas kreut të Partisë Demokratike, vendi po kalon një moment të vështirë ekonomik. “Evazioni fiskal dhe taksat e larta janë problematikat kryesore që po çojnë në rrënim ekonomik vendin tonë, duke prekur katërcipërisht biznesin e vogël e të mesëm”, nënvizoi Basha.
Kreu i PD-së, sheh korrupsionin në tatime dhe dogana si pikat më të brishta të evazionit fiskal. “Shifrat e qeverisë tregojnë 134 milionë dollarë defiçit në dogana e tatime në gjashtëmujorin e parë. Imagjinoni në çdo kategori, pensione, shkolla, rrugë, investime, se çfarë mund të arrihej me miliona dollarët që kanë avulluar. Pjesa kryesore e këtyre të ardhurave që mungojnë, shtoi Basha, vijnë nga kontrabanda dhe korrupsioni, kryesisht në fushën e duhanit dhe naftës. Qeveria i ka këto fakte. Nga një shtet fqinj janë dhënë të dhëna të hollësishme për kontrabandën e duhanit. Edi Rama hesht”, u shpreh Basha, i cili tha se për të gjitha këto Kryeministri Rama është duke heshtur.
Nga selia blu, Basha akuzoi qeverinë se po punon për interesa klienteliste. “Edi Rama dhe qeveria heshtin pasi janë të përfshirë vetë në afera korruptive. Gjendja është alarmante dhe pa perspektivë me këtë qeveri. Nuk ka asnjë rreze drite për të dalë nga rrokullisja e ekonomisë shqiptare dhe këtë gjë e ndiejnë qytetarët”, vijoi Kreu i PD-së, duke shtuar se Kryeministri i gënjeu shqiptarët kur i tha një ditë para se të ikte me pushime se ekonomia ishte në rritje.
Më tej, kreu i opozitës prezantoi edhe platformën e partisë së tij për daljen nga kriza. “Alternativa jonë është një platformë e plotë për nxjerrjen e vendit nga kriza duke filluar me një paketë emergjence të shpëtimit kombëtar. Në themel të kësaj platforme qëndron një ekonomi transparente dhe jo një ekonomi monopolesh dhe kontrabandistësh; një taksë që do të jetë më e ulta në Ballkan; një dalje nga rekordi i çmimeve më të larta të naftës në rajon dhe ulja e çmimit të energjisë”. Kryetari i Partisë Demokratike i pyetur nëse PD do të bënte koalicion me PS-në apo LSI-në, mohoi kategorikisht këtë mundësi, duke theksuar se shqiptarët tashmë e njohin mirë dyshen Rama-Meta dhe për këtë, PD nuk është e gatshme të bëjë koalicion për hir të karriges. PD është e gatshme të bëjë betejë pa asnjë kompromis me krimin dhe korrupsionin,” tha Basha.
Sigal