Basha: BE nuk mund të injorojë lidhjet e qeverisë me krimin e korrupsionin, rrezikon të humbasë kredibilitet

570
Basha: BE të mos mbyllë sytë përpara qeverisë së lidhur me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk duhet të mbyllë sytë përpara largimit masiv të shqiptarëve për shkak të përfaqësimit të qeverisë nga njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar. Në takimin me zëvendësministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, kreu demokrat e konsideroi qeverinë si tërësisht të paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj me trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas njoftimit zyrtar, kreu i opozitës i tha zëvendësministrit të Jashtëm austriak se nga kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet tek trafikimi i heroinës e kokainës, si dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë, si ndërtimi dhe projektet PPP. Kryetari i Partisë Demokratike tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar. “Bashkimi Evropian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”, tha kryeopozitari Basha. Sipas tij, shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes. Partia Demokratike, deklaroi Basha, beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dale nga kriza dhe për të kthyer besimin te njerëzit. Kryetari Basha e falënderoi zv/ministrin e Jashtëm, Linhart, për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhe, veçanërisht të kryeministrit Kurz, për integrimin evropian të Ballkanit. Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian dhe zv/ministri i shprehu Bashës mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete. 
Sigal