Basha: Asnjë marrëveshje me PS, bashkëpunim vetëm me opozitën e vërtetë

519
Për herë të parë pas rizgjedhjes në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur qartë. PD në opozitë, asnjë kompromis me Ramën. Fton partitë e tjera për të mbrojtur interesat e qytetarëve
Që pas 18 majit zërat kundër Lulzim Bashës kanë qenë jo të paktë. U përfol se mes tij dhe Edi Ramës, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, do të kishte një bashkëqeverisje, kjo duke marrë parasysh domosdoshmërinë e kryerjes së shumë reformave, ndër të cilat ajo për drejtësi më e rëndësishmja. Por duket se rezultati i 25 qershorit, vjedhja e votës denoncuar nga PD, e kanë bërë më të kthjellët liderin e PD-së, Basha në vendimet e tij të fundit. Gjatë ditës së djeshme ai dha deklaratën e tij të parë publike, pas rizgjedhjes në krye të të djathtëve në 22 korrik. Për herë të parë “shoi” zërat se mes tij dhe Ramës do të vinte një bashkëpunim. Ka qenë i prerë dhe përfundimtar në atë që deklaroi. PD do të jetë opozitë frontale, nuk do të ketë asnjë kompromis me Edi Ramën. Ndërsa ftoi të gjitha partitë e tjera opozitare nëse e ndjejnë të bashkohen në një front të vetëm për të luftuar atë të cilën ai e cilëson të keqen e vendit, Edi Rama. Menjëherë pas mbledhjes, Basha dha një deklaratë për mediat, të cilat tepër të interesuar për zhvillimet e brendshme, nuk ngurruan ta pyesnin për çdo paqartësi që i ka munduar deri tani. Një nga këto paqartësi ka lidhje edhe me ministrat teknik, të cilëve u përfundoi marrëveshja që në 26 qershor dhe vazhdojnë ende të mbajnë postet e përfituara pas 18 majit të famshëm. 
Ftesë e hapur partive opozitare
Një ftesë të hapur kreu i Partisë Demokratike duket se bëri për LSI. Gjatë deklaratës së tij u shpreh se është gati të bashkëpunojë me këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend, duke nënkuptuar LSI. Deklaratën Basha e bëri pas mbledhjes së grupit me deputetët e rinj, teksa theksoi se PD ka sot misionin kryesor alternativën. Ai tha se do e bënte një bashkëpunim vetëm me opozitën e vërtetë. Me opozitën e vërtetë siç ka qenë dhe është PD në të cilën mirëpresim këdo që është gati të bëjë opozitë por jo pazar-opozitë. E ndërsa gazetarët e pyetën se bëhej fjalë për LSI, Basha deklaroi: “Këdo që është gati të bëjë opozitë dhe jo Pazar- opozitë. Opozita është e plotë dhe jo me kohë të pjesshme, është e pandarë ndaj pushtetit, nuk është diku opozitë dhe diku pazar. Ftesa është për këdo që është gati të bëjë opozitën që ka kaq shumë nevojë ky vend. Opozitën dhe alternativën PD i ka sot misionin kryesor”. Basha foli për një opozitë ballore dhe pa kompromis me kryeministrin Rama dhe se PD do të denoncojë të gjitha rastet që vështirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. “PD bëhet gati për një opozitë të fortë pa kompromis dhe ballore me Edi Ramën dhe qeverinë e tij, me të cilën nuk na bashkon asgjë, as vizioni dhe as vlerat tona. Ne na bashkojnë këto vlera dhe ky vizion me shumicën dërrmuese të shqiptarëve në emër të të cilëve do të bëjmë një opozitë të fortë që nis nga kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit që është dhe porosia ime kryesore për deputetët, kontakt i vazhdueshëm me ta. Vazhdon me denoncimin, është një detyrë akoma më e rëndësishme në kushtet kur pavarësisht prej punës suaj si gazetarë kapja e mediave e bën denoncimin e problemeve gjithmonë e më të vështirë.

Në qershor-korrik 20 mijë shqiptarë janë larguar për të kërkuar azil në vendet e BE. Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë as shpresë dhe as dritë në fund të tunelit. Opozita jonë do të jetë një opozitë që buron nga hallet dhe problemet e njerëzve, që denoncon paaftësitë, zullumin e qeverisjes së lidhur me krimin, drogën, bandat dhe korrupsionin. Por që po kështu propozon në emër të qytetarëve zgjidhjet që jam i sigurt që do marrin jetë vetëm përmes vlerave të vërteta”, tha ai para gazetarëve. 
Largimi i ministrave teknikë
Basha lajmëroi largimin e Ministrave teknike që sipas tij e kanë bërë gati dorëheqjen, por po presin të bëjnë raportin për zgjedhjet. I pyetur se kur do të largohen ministrat teknikë të PD, Basha tha: “Ministrat po përfundojnë raportin dhe menjëherë pas kësaj më kanë njoftuar se kanë bërë gati dorëheqjet e tyre”. Interesit të gazetarëve, nëse do të zbatohet marrëveshja me Ramën për reformën zgjedhore, Basha u shpreh se: “Do bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të ketë një sistem të drejtë zgjedhor, përfaqësues për qytetarët dhe të padhunueshëm nga bandat, milionat e drogës dhe përqindjet e tenderëve dhe koncesioneve korruptive siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit. Pamë Dibrën e 2016-s në një nivel makro. Beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë një nga betejat kryesore së bashku me betejën për një ndarje të drejtë territoriale që u përgjigjet interesave të qytetarëve dhe jo të politikës grabitqare dhe me reformat e tjera të rëndësishme për vendin. E sigurt është se, opozita jonë do të jetë institucionale, parlamentare, por do të jetë po kështu opozita aktive qytetare që do shtrihet në çdo hapësirë për të luftuar për të drejtat e qytetarëve”, tha Basha.
Analiza për humbjen
Gjatë ditës së djeshme Lulzim Basha foli edhe për analizën e brendshme të partisë që drejton. Para dhe pas zgjedhjeve të 22 korrikut ku ai u rizgjodh në krye, u kërkua edhe kryerja e një analize të hollësishme për humbjen e thellë. Këtë gjë Basha e pati deklaruar edhe më herët. Ndërsa dje e ritheksoi se analiza do të jetë por jo e tipit sovjetik. “Analiza bëhet në dy nivele, jo në nivelin sovjetik se nuk është analizë, por në nivelin e analizimit të fakteve çfarë ka ndodhur kuti votimi për kuti votimi, çfarë përfaqëson kjo për qytetarët që banojnë në atë zonë dhe çfarë përfaqëson për përgjegjësitë dhe reflektimin e strukturës. Mos keni merak, PD do të dalë përmes një reflektimi të thellë me një organizim edhe më të fortë, edhe më gjithëpërfshirës, edhe më të hapur, edhe më luftarak për opozitën që ka nevojë ky vend. Një opozitë reale dhe e fortë për të rikthyer shpresën.
Sigal