Basha: Antimafia konfirmoi shitblerjen e votës me paratë e krimit

464
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim kreun e delegacionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, Peter Tejler mbi përfundimet e raportit të misionit. Kreu i opozitës e konsideroi shumë të rëndësishëm raportin, i cili ka dokumentuar shqetësimet ngritura nga opozita. Raporti konstaton shkelje të rënda, të cilat kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve, duke nisur nga shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, presioni mbi administratën dhe mbi biznesin, përdorimi masiv i shtetit në shërbim të partisë në pushtet, cenimin e lirisë dhe sekretit të votës, etj. Raporti evidenton se individë me rekorde të tmerrshme kriminale luajtën një rol domethënës në fushatë. Kjo u vu re edhe gjatë ditës së zgjedhjeve në bashkëpunimin e kontingjentit kriminal me shtabet e partisë në pushtet. Kryetari i opozitës nënvizoi faktin se përgjimet e Antimafias italiane konfirmojnë se roli i krimit dhe parave të drogës në shitblerjen e votës dhe kërcënimin e votuesve, përbën problemin më të madh të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në vend. Kreu i opozitës kërkoi mbështetjen dhe ekspertizën e misionit të OSBE/ODIHR-it për implementimin e rekomandimeve. Reforma Zgjedhore duhet të përballet me shumë prej problematikave të shumta të procesit si lista e zgjedhësve, sistemin e adresave, përdorimin e financimeve dhe individëve me rekorde kriminale, përdorimin e pushtetit, votën e emigrantëve dhe mbi të gjitha shit-blerjen e votës.
Sigal