Basha: A do t’i kërkojë Rama Metës dorëheqjen pas akuzave për vrasje?

445
Sigal

Të gjithë shqiptarët panë vetë sot sesi Edi Rama nga dera e Prokurorisë, tentoi të diktojë variantin e tij për ngjarjen duke e quajtur skenar aktrimi. Pra pavarësisht fakteve dhe rrethanave, pavarësisht hetimit dhe punës që duhet të bëjë drejtësia, Edi Rama imponohet duke konkluduar ai i pari për këtë ngjarje.
Ky ishte synimi i tij sot, që del qartë edhe nga fakti se kryeministri e kishte përgatitur verdiktin e tij, e kishte të shkruar dhe e lexoi para kamerave, sidoqë të ketë shkuar marrja e tij në pyetje.
Rama nuk ngurroi të vihej në krye të skemës së krijimit të alibive dhe ushtrimit të presionit ndaj drejtësisë.
Vetëm një hetim objektiv, bazuar mbi fakte, dhe i painfluencuar nga politika do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e të vërtetës. Mundësia për një hetim të tillë kompromentohet rëndë sa kohë që i akuzuari për porositjen e vrasjeve mban postin si numër dy i shtetit.
Edi Rama urdhëroi protestën e 21 janarit edhe pse Ilir Meta kishte dhënë dorëheqjen nga posti i zvkryeministrit. A do ti kërkojë Edi Rama kësaj radhe Ilir Metës dorëheqjen pas akuzave publike për vrasje të deputetit të tij? Nëse Edi Rama nuk kërkon të paktën dorëheqjen e Metës për këtë akuzë shumë më të rëndë se akuza për të cilën urdhëroi 21 janarin, a nuk vërteton kjo se Rama është bashkëpunëtor në mbulimin e krimit të paralajmëruar?
Kryeministri ka në dorë të ndihmojë drejtësinë duke i kërkuar Ilir Metës, të akuzuar për porositjen e vrasjes së 2 deputetëve, që të japë dorëheqjen.
Nëse jo, Edi Rama konfirmon se është kokë e këmbë i implikuar, dhe se ka zgjedhur të bëhet pjesë e mbylljes së cështjes, mbylljes së hesapeve e pazareve, dhe jo zgjidhjes që vjen vetëm nga drejtësia.