Basha: 8 Dhjetori dita për të bërë histori me shkarkimin e qeverisë

461
Gjatë fjalës së tij në Konventën e FRPD-së, kreu i demokratëve Lulzim Basha e vendosi theksin tek marshimi i 8 Dhjetorit, që siç tha ai, është dita për të bërë sërish histori. Shefi i opozitës theksoi se më 8 dhjetor do të nisë maratona e përballjes pa kthim për largimin e kësaj qeverie. “Kemi marrë vendim të nisemi e mos ndalemi.”- tha Basha. “8 dhjetori është ditë e historisë, ditë e kujtesës dhe nderimit, por 8 dhjetori që vjen është dita për të bërë sërish histori. Eshtë dita e zbritjes masive popullore në sheshin Skënderbej dhe marshimin në bulevard. Eshtë dita për largimin e qeverisë së katastrofës kombëtare Rama-Meta. Kemi marrë vendim të nisemi e mos ndalemi, të nisemi me rininë e Tiranës, rininë e të gjithë Shqipërisë, bashkë me qindra e mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të martën në 8 dhjetor. Asnjë kategori e vetme shoqërore, asnjë grup interesi nuk ka parë një ditë të mirë në këto dy vjet qeverisje. Të gjithë të gënjyer, të mashtruar, të cënuar, të lënduar, të gjithë të goditur nëpërkëmbur nga qeveria e zullumeve.”- tha Basha.

Kryetari i PD-së tha se kjo qeveri është bërë njësh me krimin dhe zgjidhja e vetme është largimi i saj.
“Pritja për këtë qeveri e mbaroi kohën e saj. Kush ka patur shpresë nuk ka më shpresë, sepse Rama-Meta e vranë shpresën dhe bashkë me të dogjën mandatin e tyre katërvjeçar. Ata janë sot rrokullisja, janë laku në fytin e familjeve shqiptare, janë grabitja, korrupsioni, eksodi për qindra mijëra shqiptarë janë kthimi mbrapa 25-26 vite më parë. Nuk kanë patur ndonjëherë turp, por tani u ka plasur cipa, burg për biznesmenin, burg për fermerin, burg për berberin dhe vetë vjedhin ç’të mundin, kur populli lëngon në varfri. kjo e ka bërë Shqipërinë sot të pajetueshme. Këtu mbaron, koha e tyre ka mbaruar, kupa është derdhur durimi i shqiptarëve ka marrë fund. Ne zbresim në shesh, bashkohemi për hidhje dhe zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në 8 dhjetor nisim maratonën e përballjes pa kthim për largimin e qeverisë së ditëve të zeza. Si do ta bëjmë, kush do ta bëjë, populli mundet dhe populli do ta bëjë me pjesëmarrje masive, qëndrueshmëri dhe vendosmëri deri në realizimin e objektivave tona”- tha Basha.
Sigal