Basha: 35% e kandidatëve për deputet do të jenë të rinj

480
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në Institutin Republikan Amerikan. Basha foli për vendimin e marrë për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kërkoi ndihmën e këtij instituti. “Një javë para se të udhëtoja në SHBA, unë shpalla vendimin për t’i propozuar Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike diçka që është e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por për Europën që është diçka që ju jeni mësuar këtu në SHBA; 35 për qind që do të thotë 39 kandidatë për anëtarë Parlamenti nga Partia Demokratike e Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme do t’i përkasin një brezi vajzash e djemsh më të rinj se 35 vjeç të zgjedhur sipas stilit demokratik amerikan të primareve”, tha Basha. Nga ana e tij, presidenti i Institutit Republikan Ameriakan, Mark Green, shprehu gatishmërinë për të mbështetur Partinë Demokratike në realizimin me standarde amerikane të debatit për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet.
Sigal