Bardhyl Berberi/ Turp, kush janë sabotatorët e reformës!

561
Çfarë po ndodh? Duket sheshit se segmente të caktuara të klasës politike nuk duan dhe po e sabotojnë reformën në drejtësi. Ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Amerikës kanë vendosur të mbledhin grupet parlamentare, duke u përcaktuar atyre orarin e punës dhe rendin e ditës. Ky parlament ka humbur legjitimitetin dhe sovranitetin e tij. Fatkeqësisht kjo është vërtetë, kjo po ndodh. Të huajt vendosën të mos na lëne vetëm. Kjo është e qartë. Por natyrisht kjo mbështetje vjen me një çmim. Kush është çmimi? Çmimi është tallja me këtë klasë politike. Çmimi është çmontimi i saj, çmimi është ndëshkimi i sa… Ne jemi në prag të shfarosjes së kësaj specie politike, proces që shqiptarët nuk e kryen dot, por që mezi po e presin si një dritë në fund të tunelit. Qytetarët shqiptarë i ka kapur një sindromë, nëse ne ikim nga Shqipëria do jetë më mire kudo që të shkojmë. Kjo është çështja. Të ikësh me loto në Amerikë apo diku tjetër në Europë… 

Atyre që ju ka dalë lotua kanë nxjerrë shtëpitë në shitje si asnjëherë tjetër, pasi herë të tjera kanë ikur, por folezën e kanë ruajtur në vendlindje, kësaj radhe po prishin folezën për të mos u kthyer kurrë. Çfarë dëshpërimi?! Të ikim, pa kthyer kokën mbrapa. A është ky një çmim i merituar. Nëse pyesim shqiptarët, unë do thosha se ata do ta aprovonin, sepse janë tallur dhe nëpërkëmbur keqas nga kjo klasë politike. Natyrshëm lind pyetja? Pse faktori ndërkombëtar e ka të vështirë të marri konsesus për reformën… Përgjigjja është shumë e thjeshtë ka shumë hajdutë dhe s’ka se si mund të japin konsensus që të futen vetë në burgje. Atë që thotë ambasadori LU për frazën e famshme, që lulëzon tek klasa politike në Shqipëri: “Ku ka ligje ka dhe shtigje”, fabula është e qartë, kjo klasë politike e korruptuar kërkon të bëjë ligje, por që të ketë shtigje që të shpëtojë nga burgu ajo vetë dhe të inkriminuarit e saj, që kanë abuzuar me pushtetin, duke vënë pasuri marramendëse. Prandaj një takëm prej tyre ka futur në sallën e këtij parlamenti një ‘Kalë Troje’. Nga barku i tij natën dalin “Ata” që ngrenë shtigje dhe kurthe për të sabotuar reformën . Shqiptarët më në fund kanë mundësi të shpresojnë se klasa e tyre politike do ndëshkohet, pasi ka rezistuar të ndëshkojë veten për kaq shumë kohë. Reforma në drejtësi ndoshta do kalojë çka mund t’i japë shpresë shqiptarëve se me mbikëqyrjen e partnereve ndërkombëtarë prona e tyre s’do vidhet më, interesi publik do mbrohet, pyjet nuk do shkatërrohen, deti nuk do të falet, të ardhurat nuk do të përgjysmohen dhe jeta në Shqipëri mund të jetë pak më e drejte dhe më e mirë. Shikoni çfarë shëmtie. Shikoni ku e solli veten ky parlament.

 Ambasadorët vijnë në grupet tona parlamentare për të na bindur të bëjmë drejtësi. Unë besoj se kjo jo vetëm nuk ka ndodhur por edhe nuk ka për të ndodhur më. Është testi i pafuqisë së këtij Parlamenti për të vendosur në interesin publik. Është testi i kësaj klase politike, e cila po dorëzon me vullnet detyrimin që ka për të marrë vendimet e duhura për shqiptarët. Është një ditë në të cilën provohet se Parlamenti i Shqipërisë nuk ka as fuqi dhe as dinjitet për të votuar atë çfarë duhet dhe çfarë pritet prej tij. Sot po tallemi dy herë. Një herë nga shqiptarët, të cilët kanë të drejtë të thonë se ky Parlament e ka konsumuar orën e vet dhe herën e dytë nga ndërkombëtarët të cilët natyrisht do tallen me grupe parlamentare, të cilat do mblidhen për të marrë urdhra. Unë besoj se grupet tona parlamentare duhet të skuqen, por jo ata nuk kanë cipë që të skuqen. Sidoqoftë them se klasa jonë politike e meriton këtë tallje. Ky është fundi i saj më i denjë dhe më i arsyeshëm. Ky nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit. Të huajt po i heqin mundësinë klasës politike të caktojë gjyqtarët dhe prokurorët e vet. Kjo është e vërteta. Turp për sabotatorët e reformës! 
Sigal