Bardhyl Berberi/ Pse populli i mban sytë dhe shpresat tek ndërkombëtarët

409
E thënë shkurt, na ngelën sytë tek ndërkombëtarët. Sa herë që përballemi me një idiotësi të politikave tanë i hedhim sytë tek ndërkombëtarët. Çfarë do të bëjnë ndërkombëtarët pas një situate të pakëndshme që prodhon politika jonë dritëshkurtër? Ata e dinë paaftësinë e politikanëve tanë dhe përveshin mëngët për të përballuar një djallëzi të re të prodhuar prej saj. Herë me kulaç dhe herë me kërbaç ata ulen të tavolinën e punës dhe na tregojnë rrugën nga të ecim sikur ne të jemi qorra me idiotllëqet që prodhojmë. Ata habiten me mungesën e kulturës së pushtetarëve tanë ndaj krizave që vijnë njëra pas tjetrës tek ne, si kërpudhat pas shiut. Mbi të gjitha ata çuditen me mungesën karakterit të politikanëve tanë për të qenë të paktën njerëz. Ata habiten, se si ditë pas dite dalin në pah ndodhitë tona, budallallëqet tona, dhimbjet tona, mbase edhe humbjet e dështimet tona. Tematikat që ata trajtojnë janë të ndryshme dhe enden mes emrash e çështjesh të ndryshme, që nuk janë tabu për ta, për zhvillimet politike, tolerancën ndërfetare dhe mbi të gjitha kanë vënë dorën mbi një plagë të madhe siç është reforma në drejtësi. 

Kjo reformë po na tërheq zvarrë si popull nga padrejtësitë dhe abuzimet që ndodhin me pushtetarët abuzuesë me karrigen ku janë ulur. Ata çdo ditë shtojnë numrat e llogarive nëpër banka mbi varfërinë e tejskajshme të popullit fukara. E gjithë kjo për ndërkombëtarët është e pakonceptueshme, pasi ata tashmë e kanë të qartë se këtë gjendje agonie të politikës shqiptare e solli kjo klasë politike dështake. Nga ana tjetër ndërkombëtarët e kanë të qartë se ky ngërç politik me institucione të uzurpuara janë pasojë e një drejtësie të korruptuar, që në këto 25 vjet demokraci e ka lënë shtetin e brishtë, me një natyrë eksperimentale në mes të kaosit dhe anarkisë. Si në një teatër absurd gjithçka duket qesharake dhe e neveritshme të klasës politike shqiptare të “demokracisë” të zhytur në kaos dhe në krim. Udhëheqësit politikë shqiptarë sipas rastit dhe interesave të tyre herë e çmojnë arbitraritetin e ndërkombëtarëve, hera herës e bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr dhe nuk binden edhe pse hanë darka luksoze nëpër Europë me përfaqësues të lartë të BE. Ata vazhdojnë t`i bien fyellit sipas avazit të tyre. 

Prandaj opinioni i gjerë, vlerëson faktorin ndërkombëtar që nuk na ka lënë të qëndrojmë në moçalin e një politike amatoreske, ai na ka drejtuar në udhën e drejtë përkrah shteteve të tjera mbarë Europiane. Tashmë shqiptarët po e shohin rolin determinant të faktorit ndërkombëtar për të shpëtuar nga zinxhirët e politikanëve amatoreskë. Kjo klasë politike, duke mos respektuar vullnetin e popullit, por interesat individuale e ka zhytur vendin në një kaos dhe shpresa e vetme ngelet pikërisht faktori ndërkombëtar, i cili kërkon opsione të reja politike rreth kauzës shqiptare, duke vendosur mbi të gjitha ligjin dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe njëherazi ata politikanë zullumqarë që kanë abuzuar me pushtetin, të përfundojnë mbrapa hekurave. Natyrisht këtë mund ta bëjë vetëm Reforma në Drejtësi dhe Byroja e Hetimit që është bërë kaq jetike për kushtet konkrete… Ja pra, pse populli i mban sytë tek ndërkombëtarët!
Sigal